Më datë 12 maj 2025, Dr. Ethem Baymak, ish pedagog në Degën e Gjuhës Turke në Universitetin e Prishtinës, piktor i njohur në Kosovë, në Ballkan, në Turqi dhe në Europë për ekspozitat e tij të suksesshme, poet dhe artist i talentuar, në kuadrin e një aktiviteti kulturor të zhvilluar në Tiran ku ishte i ftuar, bëri një vizitë edhe në Degën e Gjuhës Turke në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja ku zhvilloi një takim miqësor me studentët e vitit të dytë.
Dr. Ethem Baymak foli për Letërsinë Turke, për letërsinë turke në Ballkan, për figura të njohura të letërsisë turke me origjinë nga Ballkani si Mehmet Akif Ersoj, për letërsinë turke të lëvruar në Prishtinë dhe në Prizren, për pasionin e tij për artin, për poezinë dhe për pikturën.
Dr. Ethem Baymak u prezantoi studentëve librin e fundit të tij “Edebiyat’ta Mektuplar” (Letrat në Letërsi) të botuar në vitin 2025, në të cilin flet për letërkëmbimin e personaliteteve të shquara letrare të Ballkanit me shkrimtarë të njohur të letërsisë turke.
Takimi ishte shumë miqësor dhe u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi të këndshëm mes një artisti të apasionuar pas artit, poezisë, pikturës dhe letërsisë dhe studentëve që ishin present gjatë kësaj vizite. Ai përgëzoi studentët për zotërini shumë të mirë të gjuhës turke.
Në fund të takimit Dr. Ethem Baymak recitoi për studentët disa poezi të preferuara të tij dhe dhuroi disa kopje të librit të tij për bibliotekën, për pedagogët e Degës së Turqishtes dhe studentëve të vitit të dytë të pranishëm në takim.