Trajnim për Personelin Ndihmës Akademik me Karakter Administrativ: “Përdorimi i Platformave Online për Takime dhe Trajnime”
Sot më 25 .11.2025 në kuadër të angazhimit tonë për rritjen e kapaciteteve profesionale dhe përmirësimin e proceseve të brendshme administrative, Dega e Trajnimeve dhe Inovacionit Pedagogjik, në bashkëpunim me Zyrën e Teknologjisë së Informacionit, zhvilluan një trajnim të dedikuar për personelin ndihmës akademik me temën “Përdorimi i Platformave Online për Takime dhe Trajnime.”
Ky aktivitet kishte si qëllim të fuqizojë aftësitë digjitale të stafit dhe të sigurojë përdorimin sa më efektiv të mjeteve bashkëkohore të komunikimit në distancë.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me funksionalitetet kryesore të platformave më të përdorura në mjedisin profesional, përfshirë Microsoft Teams, Zoom dhe Google Meet. U prezantuan hapat praktikë për krijimin dhe menaxhimin e takimeve virtuale, organizimin e sesioneve të punës, ndarjen e dokumenteve, administrimin e pjesëmarrësve, përdorimin e opsioneve të ndërveprimit (chat, sondazhe, reagime, ndarje ekrani) si edhe teknikat për një zhvillim sa më të qetë dhe efikas të trajnimeve online.
Ky trajnim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve administrative dhe rritjes së cilësisë së mbështetjes akademike. Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit për bashkëpunimin, energjinë pozitive dhe gatishmërinë për të përqafuar praktika të reja teknologjike që lehtësojnë proceset e punës dhe rrisin efikasitetin institucional.

Trajnim me personelin ndihmësakademik: “Inteligjenca Artificiale (AI) si asistent në punën e përditshme. Softuerë të rinj të teknologjisë së informacionit”
Sot më 14.11.2025, Dega e Trajnimeve dhe Inovacionit Pedagogjik, në bashkëpunim me Degën e Teknologjisë së Informacionit në FGJH, zhvilluan një trajnim të dedikuar për personelin ndihmësakademik të fakultetit, i cili kishte në fokus përdorimin e teknologjive të reja të inteligjencës artificiale dhe softuerëve inovativë si Copilot, Gamma, ChatPDF, ExcelFormulaBot, Everything, SwissChat dhe mjete të tjera që lehtësojnë punën e përditshme administrative dhe akademike.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte të fuqizojë personelin ndihmësakademik me njohuri dhe aftësi praktike mbi përdorimin e mjeteve moderne të AI-së, duke rritur efikasitetin, saktësinë dhe produktivitetin në punën e përditshme administrative.
Objektivat kryesore të trajnimit ishin:
* Njohja me funksionalitetet bazë dhe të avancuara të mjeteve të përzgjedhura;
* Integrimi i AI-së në proceset e komunikimit, organizimit dhe menaxhimit të dokumenteve;
* Automatizimi i detyrave të përsëritura për të kursyer kohë;
* Përmirësimi i aftësive teknologjike për t’iu përshtatur kërkesave të reja të mjedisit akademik.
Përfitimet për pjesëmarrësit:
* Rritja e efikasitetit në punë përmes përdorimit të mjeteve inteligjente;
* Lehtësimi i proceseve administrative dhe menaxheriale;
* Zhvillimi i aftësive digjitale dhe rritja e sigurisë në përdorimin e teknologjisë.
Ky trajnim shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të praktikave tona të punës dhe përforcimit të kulturës së inovacionit në fakultet.

Trajnim për “Mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë kibernetike”
Më datë 28 tetor, në ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Dega e Trajnimeve dhe Inovacionit Pedagogjik në bashkëpunim me Zyrën e Teknologjisë së Informacionit, zhvilluan një trajnim për personelin akademik dhe ndihmës-akademik me temë “Mbrojtja e të dhënave personale dhe siguria kibernetike”.
Ky aktivitet u zhvillua në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) dhe solli në fokus rëndësinë e sigurisë digjitale dhe mbrojtjes së të dhënave në mjedisin akademik. Eksperti i AKSK-së, z. Ervis Qose, ndau me pjesëmarrësit njohuri praktike dhe shembuj konkretë për mënyrat e sigurta të përdorimit të teknologjisë, menaxhimin e rreziqeve kibernetike dhe respektimin e legjislacionit që garanton mbrojtjen e informacionit.
Ky trajnim përbën një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një kulture të qëndrueshme të sigurisë kibernetike në institucionin tonë akademik.

Disa nga temat e trajtuara ishin: Njohja me aplikacionet teknologjike si: Canva, Everything, Google Share Folder, Zoom etj.
Qëllimi kryesor i këtij programi trajnimesh ishte kontribuimi në përmirësimin e performancës individuale dhe institucionale, nëpërmjet ndërtimit të një kulture të të nxënit të vazhdueshëm dhe zhvillimit të aftësive që ndikojnë drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e jetës akademike.
Temat e trajnimeve përfshinin aspekte praktike të punës administrative, përdorimin efikas të sistemeve digjitale dhe platformave institucionale, komunikimin ndërpersonal, menaxhimin e dokumentacionit, etiketën institucionale dhe zhvillimin profesional në përgjithësi.

