Ndiheni të diskriminuar? Jeni dëshmitar i një diskriminimi? Raporto Diskriminimin

Zhvillimi i atelies me temën “Ruajtja e dimensionit kulturor, sfidë e praktikës përkthimore” nga Prof. Dr. Saverina Pasho

Më 6 mars 2025 u zhvillua atelieja me temën “Ruajtja e dimensionit kulturor, sfidë e praktikës përkthimore” nga Prof. Dr. Saverina Pasho, pedagoge e gjuhës frënge dhe përkthyese e mirënjohur për një sërë veprash nga gjuha shqipe në gjuhën frënge dhe anasjelltas.
Ajo zhvilloi një diskutim të hapur me studentët dhe pedagogët në të cilin trajtoi sfidat dhe dilemat me të cilat përballet një përkthyes, veçanërisht përkthimin e kulturemave, ku bëjnë pjesë elementet arkitekturore, gastronomia, sistemet social-kulturore, feja, imagjinarja popullore, instrumentet muzikore, institucionet, emrat e njerëzve.
Për të gjitha këto sfida, ajo ndau përvojën dhe zgjedhjet e saj në lidhje me përdorimin e strategjive të ndryshme për përkthimin elementeve të lartpërmendura.
Në fund, ajo theksoi se përkthimi dhe kultura janë të pandashme, dhe se ruajtja e dimensionit kulturor gjatë përkthimit është një aspekt kyç për të siguruar që mesazhi i autorit në gjuhën burimore të mbetet i paprekur gjatë përkthimit.
Takimi u shoqërua me një sesion pyetjesh dhe përgjigjesh, si dhe me këshilla shumë të vlefshme për studentët dhe përkthyesit e rinj.
Faleminderit të gjithëve që morën pjesë dhe kontribuuat në këtë diskutim të frytshëm!