Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, UT, Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, mori pjesë në Forumin e Diskutimit “Punësimi në sektorin e turizmit: Sfida e burimeve njerëzore dhe rritja e kapaciteteve për zhvillim të qëndrueshëm”, i mbajtur më 11 shkurt 2026, në Pallatin e Kongreseve, Tiranë, organizuar nga Unioni Turistik Shqiptar.
Në panelin e diskutimit, Dekania theksoi gatishmërinë e FGJH-UT për të forcuar bashkëpunimin me sektorin e biznesit në fushën e turizmit, në kuadër të programit të studimit “Master i Shkencave në Komunikim Ndërkulturor dhe Turistik Trigjuhësh”, të kërkimit shkencor dhe trajnimeve që fakulteti ofron për kualifikimin e punonjësve të turizmit, në mbështetje të kërkesës së lartë të tregut për punonjës të kualifikuar.
Njëkohësisht u theksua se Universiteti është një aktor kyç në zhvillimin e ekosistemit të turizmit në Shqipëri, ndërsa FGJH mbetet një partner shumë aktiv përmes programeve në gjuhë të huaja dhe trajnimeve të orientuara drejt nevojave të industrisë, duke kontribuuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e kapaciteteve profesionale në sektor.
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe zgjerimi i marrëveshjeve me bizneset që operojnë në sektorin e turizmit, për të mundësuar kryerjen e praktikave profesionale dhe rritjen e mundësive të punësimit për studentët dhe të diplomuarit e FGJH-UT.






