🎓✨ Alumni Night 2026 “Breza që lidhen përmes gjuhëve”

Mbrëmjen e djeshme, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, mirëpriti për herë të parë alumni, pedagogë, ish-pedagogë, studentë dhe miq të fakultetit në aktivitetin “Alumni Night 2026”, një festë kushtuar kujtimeve, mirënjohjes dhe lidhjeve që i rezistojnë kohës.

Aktiviteti u çel nga Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, e cila në fjalën e saj përshëndetëse theksoi se alumni nuk është vetëm kujtesa e një përvoje universitare; ai është partner në zhvillimin e universitetit, urë lidhëse mes akademisë dhe shoqërisë, mentor për brezat e rinj, mbështetës i projekteve, promotor i vlerave dhe i reputacionit të institucionit. Forcimi i këtij rrjeti është thelbësor për një zhvillim të përbashkët dhe të qëndrueshëm.

Të pranishmit i përshëndeti gjithashtu Zëvendësrektorja e Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Anila Paparisto, e cila nënvizoi rëndësinë e rrjetit alumni si një urë e qëndrueshme lidhëse mes universitetit dhe shoqërisë. Një mesazh përshëndetës përcolli edhe Kryetarja e Bordit të Alumnit të Universitetit të Tiranës, Znj. Kiduina Zaka, e cila vlerësoi rolin e këtij komuniteti në forcimin e lidhjeve akademike dhe profesionale dhe në zhvillimin e mëtejshëm të universitetit.

Një moment i veçantë i mbrëmjes ishin edhe videomesazhet nga alumnit që jetojnë në vende të ndryshme të botës. Përmes përshëndetjeve nga distanca, ata ndanë kujtime nga vitet e studimit, reflektime mbi ndikimin që fakulteti ka pasur në formimin e tyre profesional, si dhe mesazhe frymëzuese për brezat e rinj. Këto dëshmi sollën një emocion të veçantë dhe treguan se, pavarësisht kufijve gjeografikë, përkatësia ndaj komunitetit FGJH mbetet e fortë dhe e pandryshueshme.

Veçanërisht emocionues ishte nderimi i pedagogëve me Certifikata Mirënjohjeje në shenjë vlerësimi për kontributin e tyre të çmuar në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe formimin e brezave të tërë studentësh, të cilët sot kontribuojnë në fusha të ndryshme të jetës akademike, kulturore dhe profesionale.

Falënderojmë të gjithë alumnit, pedagogët, studentët dhe të ftuarit që u bënë pjesë e kësaj mbrëmjeje të veçantë.

💙 Pavarësisht rrugëve që kemi ndjekur, të gjithë kemi një vend ku rikthehemi: Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.