Ndiheni të diskriminuar? Jeni dëshmitar i një diskriminimi? Raporto Diskriminimin

🎓 Ceremonia e ndarjes së certifikatave për përkthyesit e trajnuar

Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, u zhvillua ceremonia e ndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit që përfunduan me sukses Programin e Formimit të Vazhduar “Përkthim Teknik, Letrar dhe Interpretim”, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Gjatë ceremonisë u certifikuan pjesëmarrësit që ndoqën modulet:

📖 Përkthim teknik në fushën e legjislacionit të Bashkimit Evropian;
📖 Përkthim teknik në fushën e së drejtës penale.

Ceremonia u përshëndet nga Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, Dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës e cila theksoi rëndësinë e zhvillimit të kompetencave profesionale në fushat e specializuara të përkthimit, veçanërisht në përkthimin zyrtar, si dhe rolin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në përgatitjen e specialistëve të aftë për t’iu përgjigjur nevojave të institucioneve publike dhe proceseve të përafrimit të legjislacionit shqiptar me “Acquis Communautaire” të Bashkimit Evropian.

Prof. Dr. Anila Paparisto, Zëvendësrektore e Universitetit të Tiranës, e vlerësoi programin si një model të suksesshëm bashkëpunimi ndërinstitucional dhe si një shembull konkret i laboratorit të gjallë dhe të kontributit të universitetit në formimin profesional gjatë gjithë jetës.

Znj. Vilma Xhullima, Përgjegjëse e Sektorit të Përkthimit Zyrtar për Bashkëpunimin Ndërgjyqësor në Ministrinë e Drejtësisë, vlerësoi rezultatet e këtij bashkëpunimi dhe nënvizoi rëndësinë e përditësimit të vazhdueshëm të njohurive dhe aftësive të përkthyesve zyrtarë për garantimin e shërbimeve me standarde të larta profesionale.

Përmes këtij programi, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja riafirmon misionin e tij si qendra kryesore akademike për formimin e përkthyesve dhe interpretëve në Shqipëri, duke vënë në dispozicion ekspertizën e stafit të tij akademik dhe duke kontribuuar në rritjen e cilësisë së përkthimit në fusha me rëndësi strategjike për institucionet, drejtësinë dhe integrimin evropian të vendit.

👏 Urime të gjithë pjesëmarrësve për përfundimin me sukses të moduleve programit dhe shumë suksese në rrugëtimin e tyre profesional!

📌 Duke nisur nga shtatori, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja do të vijojë me module të reja të formimit të vazhduar në fusha të specializuara të përkthimit teknik. Ftojmë përkthyesit, profesionistët e gjuhëve të huaja dhe të gjithë të interesuarit të ndjekin njoftimet tona dhe të bëhen pjesë e mundësive të reja për formim dhe specializim profesional.