Mirë se vini studente dhe studentë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja !
Çdo vit, ju jeni qindra studente/ë që zgjidhni Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës për studimet tuaja.
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja është një nga fakultetet kryesore në vend ku studiohen gjuhët dhe kulturat, formohen mësuesit, përkthyesit dhe interpretët për të cilët ka gjithmonë nevojë ekonomia dhe shoqëria shqiptare.
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja është bërë një qendër pikëtakimi e shkëmbimi përvojash mësimore – kërkimore mes shumë studiuesish e studentësh të huaj nga e gjithë bota.
Personeli akademik dhe administrativ i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, bashkëpunëtorët tanë, janë të lumtur t’ju mirëpresin.
Periudha shtator – tetor do të jetë koha kur do të zbuloni e do të njihni nga afër këtë fakultet, strukturat, shërbimet dhe programin e mirëseardhjes suaj.
Surpriza dhe veprimtari të ndryshme do t’ju presin: takime e festime të gëzueshme me klubet dhe këshillin studentor, koncerte, veprimtari informuese dhe kulturore.
Një muaj për të gjithë ju, studentët e rinj, që do të përzgjidhni FGJH-në, për të lehtësuar njohjen tuaj me Fakultetin dhe të gjitha shërbimet brenda Universitetit të Tiranës dhe jashtë tij si pjesëtarë të komunitetit më të madh universitar në Shqipëri!
Bashkëngjitur do të gjeni informacionet praktike dhe programin e mirëseardhjes, ku mjafton të skanoni QR Code-in!