Sot,19 nëntor 2024, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja organizoi trajnimin për studentët me temë: “Privatësia në epokën digjitale: mbrojtja e informacionit personal” duke u fokusuar në një nga çështjet më të rëndësishme të epokës moderne.
Pjesë e panelit ishin:
Prof. Asoc. Dr. Daniela Hasa, Përgjegjëse e Departamentit të Gjuhës Angleze, e cila i informoi e këshilloi studentët në nivel pedagogu mbi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale në një botë gjithnjë e më të lidhur teknologjikisht, duke theksuar terma si “mbrojtja e privatësisë”, “kujdesi me email-et” dhe “përditësimi i fjalëkalimeve”.
Z. Enxhi Mete, ekspert i sigurisë kibernetike pranë Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, i cili ndau njohuri të thelluara mbi rreziqet dhe sfidat që paraqiten në epokën digjitale. Ai i këshilloi studentët që t’i mbrojnë të dhënat personale përmes fjalëkalimeve të forta, verifikimit me dy faktorë dhe vëmendjes ndaj phishing-ut. Gjithashtu, theksoi rëndësinë e edukimit të vazhdueshëm mbi teknologjitë e reja, kërcënimet që mund të sjellin ato, si dhe kujdesin maksimal në përdorimin e platformave digjitale dhe dhënien e informacionit personal.
Dejan Kushta, specialist IT dhe Web pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, i cili foli mbi strategjitë për ruajtjen e privatësisë online dhe politikat e sigurta që studentët duhet të ndjekin për t’u mbrojtur në botën digjitale. Ai ndau disa shembuj konkretë dhe praktika të mira, duke nxitur studentët të ndërtojnë një qasje të përgjegjshme dhe të sigurt ndaj përdorimit të teknologjisë. Prezantimin e mbylli me një video të punuar prej tij për ndërgjegjësimin në lidhje me ndarjen e të dhënave në rrjetet sociale.
Të pranishmit patën mundësinë të bëjnë pyetje dhe të diskutojnë situata të ndryshme që lidhen me privatësinë dhe sigurinë kibernetike, duke marrë përgjigje dhe udhëzime konkrete nga ekspertët.
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja mbetet i përkushtuar për të ofruar aktivitete cilësore që ndihmojnë studentët të zhvillojnë aftësi dhe njohuri të reja për t’u përballur me sfidat e botës moderne.
Një falënderim i veçantë shkon për panelistët tanë dhe të gjithë pjesëmarrësit që kontribuan në suksesin e këtij aktiviteti!