Takimi me përkthyesen dhe redaktoren letrare Aida Baro, një ALUMNI e këtij fakulteti

Më datë 27.02.2025, Fakultetit të Gjuhëve të Huaja pati kënaqësinë të kishte të ftuar përkthyesen dhe redaktoren letrare Aida Baro, një ALUMNI e këtij fakulteti. Ajo diskutoi për përkthimin letrar dhe sfidat që lidhen me të, duke ndarë me ne përvojën e saj të pasur në këtë fushë.
Prof. Dr. Esmeralda KROMIDHA, Dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja-UT, falënderoi Aida Baron për kontributin e saj në fushën e përkthimit dhe veprat e saj të përkthyera mjeshtërisht në gjuhën shqipe. Ajo ngriti pyetje dhe diskutime mbi sfidat e përkthimit në aspektin gjuhësor dhe kulturor.
Aida Baro, me një përvojë të pasur në këtë fushë, ka përkthyer dhe redaktuar mbi 1000 filma dhe dokumentarë dhe ka punuar me autorë të njohur ndërkombëtarë si Italo Calvino, Sveva Casati Modignani, Julia Navarro, dhe Primo Levi. Ajo ka kontribuuar në përkthimin e veprave si “Armëpushimi” dhe “Të mbyturit dhe të shpëtuarit” të Primo Levi-t, si dhe “Jeta shpirtërore” të Alberto Moravia-s. Për punën e saj të jashtëzakonshme, Aida Baro ka marrë çmime të rëndësishme, përfshirë “Çmimin kombëtar të përkthimit”, Tiranë, 2017 dhe çmimin “Përkthimi më i mirë i vitit”, Prishtinë, 2024.
Aida është gjithashtu kryeredaktore pranë shtëpisë botuese “Pegi” dhe themeluese e agjencisë së parë letrare në Shqipëri, “The Aida Baro Literary Agency”.
Pas ligjëratës, Aida Baro iu përgjigj pyetjeve të studentëve dhe pedagogëve, duke ndarë më shumë për përkthimin letrar dhe sfidat që ai sjell. Ky aktivitet ofroi një mundësi të shkëlqyer për të mësuar më shumë rreth përkthimit letrar dhe sfidave që vijnë me të, duke ofruar gjithashtu një vështrim të thellë në punën e Aida Baros dhe ndikimin e saj në letërsinë ndërkombëtare.
Një falënderim i veçantë për Aida Baron për këtë takim të rëndësishëm dhe për frymëzimin e mrekullueshëm që na dha përmes pasionit të saj për letërsinë dhe përkthimin!