Ndiheni të diskriminuar? Jeni dëshmitar i një diskriminimi? Raporto Diskriminimin

Konferenca Mock 2025 – Përvojë praktike dhe bashkëpunim i frytshëm

🎧 Konferenca Mock 2025 – Përvojë praktike dhe bashkëpunim i frytshëm!
Grupi mësimor-kërkimor “Përkthim dhe Interpretim”, pranë Departamentit të Gjuhës Gjermane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Tiranë, organizoi për të dytin vit radhazi Konferencën Mock — një event ku teoria takon praktikën dhe studentët sfidojnë aftësitë e tyre në interpretimin simultan. Në këtë aktivitet morën pjesë aktivisht studentët e vitit II të Masterit Shkencor në “Përkthim tekniko-letrar dhe Interpretim”, ndërsa studentët e vitit III Bachelor dhe të vitit I Master ndoqën me interes si pjesëmarrës pasivë. Po aq të veçantë e bëri këtë konferencë edhe prania e nxënësve të projektit gjerman nga gjimnazi “Sami Frashëri”, të cilët patën mundësinë të njihen më nga afër me botën e përkthimit dhe interpretimit.
Kjo konferencë nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen dhe kontributin e çmuar të folësve të ftuar, znj. Katharina Franz, Lektore e DAAD-së në Tiranë, dhe z. Timo Oberschild, drejtues i seksionit gjermanisht-shqip pranë projektit gjerman në gjimnazin “Sami Frashëri”, si dhe pa përkushtimin e palodhur të grupit organizator, veçanërisht kolegeve Znj. Ilda Themeli dhe Znj. Erta Spaho, të cilat luajtën një rol kyç në suksesin e këtij eventi.
Konferenca u krijoi studentëve mundësinë e çmuar të provojnë interpretimin në kushte reale dhe para një audience — një përvojë jetike për formimin e tyre profesional — ndërsa për nxënësit e gjimnazit shërbeu si një ditë informuese mbi mundësitë që ofron Fakulteti i Gjuhëve të Huaja dhe Departamenti i Gjuhës Gjermane. Në përfundim, nxënësit vizituan ambientet e FGJH-së dhe provuan vetë emocionet e një interpretimi simultan, duke përmbyllur kështu një ditë të mbushur me dije, përvojë dhe frymëzim.
Suksese të gjithëve dhe shihemi në edicionin e ardhshëm të Konferencës Mock!😊