Vizita e Ambasadores së Francës në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja

Sot, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja pati kënaqësinë të mirëpriste Ambasadoren e Francës në Shqipëri, znj. Catherine Suard, e shoqëruar nga znj. Catherine Veber, Këshilltare për Bashkëpunimin dhe Veprimtarinë Kulturore, si dhe znj. Amélie Lombardini, Atashe e Bashkëpunimit për Gjuhën Frënge.

Vizita u zhvillua në kuadër të hapjes së programit të ri Bachelor në Gjuhën Frënge dhe Gjuhën e Shenjave Shqipe. Gjatë vizitës, Ambasadorja Suard u takua me Dekanen e Fakultetit, Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, me pedagogët e Departamentit të Gjuhës Frënge, si dhe me studentët e programeve të studimit në gjuhën frënge dhe në gjuhën e shenjave shqipe.

Kjo vizitë rikonfirmon mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës së Francës ndaj veprimtarive akademike të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja – një bashkëpunim i konsoliduar ndër vite me universitete franceze dhe institucione ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri dhe jashtë saj.

Në fjalën e saj, Dekania Prof. Dr. Esmeralda Kromidha falënderoi Ambasadoren për vizitën dhe për vëmendjen e treguar ndaj programit të ri. Ajo prezantoi programet e shumta të bashkëpunimeve ndëruniversitare të fakultetit, duke theksuar veçanërisht partneritetet frankofone, si dhe vlerat humaniste që përfaqëson programi i ri në gjuhën frënge dhe gjuhën e shenjave shqipe. Sipas saj, ky program mishëron përkushtimin e fakultetit ndaj përfshirjes, barazisë së mundësive dhe formimit akademik cilësor.

Nga ana e saj, Ambasadorja Suard vlerësoi rolin e rëndësishëm të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Shqipëri, duke theksuar se studentët e formuar në këtë institucion kontribuojnë në fushat kyçe të zhvillimit të vendit, si inovacioni dhe turizmi. Ajo theksoi se gjuhët e huaja janë vektorët kryesorë që lidhin popujt dhe kulturat ndërmjet tyre, si dhe shprehu mirënjohjen për iniciativën e fakultetit për të krijuar dhe ofruar një program gjithëpërfshirës që u jep mundësi edhe studentëve që nuk dëgjojnë apo nuk flasin të integrohen në arsimin e lartë.

Ambasadorja nënvizoi gjithashtu rëndësinë e dimensionit kërkimor në fushën e gjuhës së shenjave dhe ritheksoi gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në aktivitete të përbashkëta që promovojnë gjuhët, kulturat dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.