Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, organizoi më 24 qershor 2026 konkursin akademik “Doktorata ime në 3 minuta”, një aktivitet dedikuar kërkuesve të rinj në shkencat humane duke shënuar një risi në promovimin e kërkimit shkencor në Universitetin e Tiranës dhe në Shqipëri.
Ky aktivitet pasqyron në mënyrë të drejtpërdrejtë angazhimin strategjik të FGJH‑UT për zhvillimin dhe promovimin e kërkimit shkencor në fushat e gjuhësisë, përkthimit, komunikimit ndërkulturor dhe didaktikës bashkëkohore në programet e ciklit të tretë (Doktoraturë).
Pjesëmarrësit prezantuan, përmes videove treminutëshe, risitë shkencore, kontributin dhe impaktin e disertacioneve të tyre, duke dëshmuar nivel të lartë profesionalizmi dhe aftësi komunikimi shkencor, kompetenca kyçe që zhvillohen përgjatë formimit doktoral në FGJH-UT, i bazuar në punë të pavarur kërkimore dhe në bashkëpunim me grupe kërkimore të drejtuara nga stafi akademik.
🏆Fituesit e këtij edicioni:
- “Prezantimi më i mirë doktoral i vitit” – Dr. Aida Zoto
- “Ambasador i Shkencës” – Dr. Ingrit Tirana
- “Inovacion në Komunikimin Shkencor” – Dr. Era Buçpapaj
Juria u kryesua nga Prof. Dr. Anila Paparisto, Zëvendësrektore e Universitetit të Tiranës dhe përbëhej nga Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, Dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Prof. Dr. Mark Marku, Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Z. Rexhep Hida, Drejtor i Përgjithshëm i Shtëpisë Botuese Fan Noli, Znj. Alketa Ylli, Administratore e Cosmos Translation & Events sh.p.k., si dhe Z. Ensar Demi, përfaqësues i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT).
Ky aktivitet u bë i mundur falë mbështetjes së partnerëve të FGJH-UT: Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Shtëpia Botuese “Fan Noli”, shoqëria “Kontakt” sh.p.k. dhe AUF, të cilët kontribuojnë vazhdimisht në përforcimin e ekosistemit të kërkimit shkencor dhe në ndërkombëtarizimin e tij.
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja shpreh mirënjohjen për të gjithë pjesëmarrësit, jurinë dhe të pranishmit që i dhanë jetë kësaj nisme, e cila synon të kthehet në një traditë të rëndësishme akademike, duke konsoliduar më tej rolin e FGJH‑së si një qendër kryesore për kërkimin shkencor në shkencat humane në Shqipëri.
👏 Urime fituesve dhe suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tyre akademik!


















