Ndiheni të diskriminuar? Jeni dëshmitar i një diskriminimi? Raporto Diskriminimin

Info Day | Horizon Europe & COST

Më 19 nëntor 2026, në Bibliotekën “Rozafa”, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i Universitetit të Tiranës, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), zhvilloi një sesion informues mbi programet europiane Horizon Europe dhe COST.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të AKKSHI-së:
Dr. Robert Dumi – Drejtor i Drejtorisë së Programeve Ndërkombëtare dhe Përfaqësues Kombëtar i Shqipërisë në Komitetin e Zyrtarëve të Lartë të COST.
Z. Andi Qinami – Përgjegjës i Sektorit të Programeve Multilaterale.
Z. Imirjon Peza – Pikë Kombëtare Kontakti për Cluster 3 “Civil Security for Society” në programin Horizon Europe.
Znj. Adela Mija – Koordinatore Kombëtare e Programit COST.
Gjatë takimit u prezantuan mundësitë që këto programe ofrojnë për kërkimin shkencor, pjesëmarrjen në projekte ndërkombëtare dhe krijimin e bashkëpunimeve të reja. Një vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për t’u përfshirë në rrjetet shkencore COST.
Pjesëmarrësit u njohën me mënyrat e gjetjes së thirrjeve të hapura, identifikimit të partnerëve ndërkombëtarë dhe ndërtimit të konsorciumeve për aplikime në projekte europiane.
Aktiviteti u shoqërua me diskutime të hapura dhe shkëmbim idesh, duke nxitur interesin për mundësi të reja bashkëpunimi në fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionit.
Falënderojmë përzemërsisht përfaqësuesit e AKKSHI-së për prezantimet e vlefshme, profesionalizmin, gatishmërinë dhe bashkëpunimin, si dhe të gjithë pjesëmarrësit për interesin dhe angazhimin e treguar.
Shpresojmë që ky takim të shërbejë si një pikënisje për bashkëpunime dhe iniciativa të tjera të përbashkëta!