Aktiviteti “Journées de formation mixte”

Në 11-12 qershor 2025, ekipi shqiptar i projektit Erasmus+ DIDAFÉ mori pjesë në aktivitetin “Journées de formation mixte”, të organizuar nga Universiteti i Bukureshtit në kuadër të zbatimit të projektit. Nga Universiteti i Tiranës, morën pjesë dy pedagogë të Departamentit të Gjuhës Frënge dhe dy studente të gjuhës frënge në nivel Bachelor dhe Master, të cilët u angazhuan aktivisht në të gjitha aktivitetet e parashikuara gjatë këtij takimi ndërkombëtar.

Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit prezantuan punimet e tyre dhe ndoqën punimet e konferencës ndërkombëtare shkencore, si dhe morën pjesë në atelietë tematike të organizuara nga partnerët e projektit. Këto aktivitete shërbyen si një hapësirë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave pedagogjike ndërmjet universiteteve partnere, si dhe për prezantimin e progresit të arritur në funksion të objektivave të projektit. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe planifikimit të fazave të ardhshme të zbatimit.