Akademia Suedeze i ka dhënë Çmimin Nobel për Letërsinë 2026 shkrimtares kanadeze Anne Carson, për veprën e saj të guximshme dhe novatore, e cila, në një dialog krijues me traditën klasike, ka sjellë forma të reja në letërsinë bashkëkohore.
Poetja, eseistja dhe klasicistja Anne Carson është një nga zërat më të veçantë të letërsisë bashkëkohore. Vepra e saj ndërthur poezinë, prozën, filozofinë, filologjinë, mitologjinë greke dhe përkthimin, duke vendosur në dialog botën antike me përvojën moderne.
Në veprën e saj, antikiteti nuk trajtohet si një e kaluar e mbyllur, por si një burim i gjallë që mund të rishikohet, të përkthehet dhe të rishkruhet përmes pyetjeve të së tashmes.
Një shembull është Autobiography of Red, ku Carson rikrijon figurën mitologjike të Geryonit në një histori moderne të dashurisë, identitetit dhe rritjes. Ndërsa në Norma Jeane Baker of Troy, ajo vendos në dialog Helenën e Trojës me Marilyn Monroe, duke eksploruar mënyrën se si bukuria, dëshira dhe imazhi femëror ndërtohen nga vështrimi i të tjerëve.
Ajo nuk e përsërit traditën.
Ajo e lexon, e çmonton, e sfidon dhe e rikrijon atë.
Dhe pikërisht këtu qëndron një nga mesazhet më të rëndësishme të letërsisë së saj…. tradita nuk ruhet vetëm duke e përsëritur, por edhe duke e vënë në dialog me të renë.


