Në këtë aktivitet morën pjesë veç studentëve dhe pedagogëve të Departamentit, dhe përfaqësues të Ambasadës së Greqisë në Tiranë, përfaqësues të shtëpive botuese dhe dashamirës të Gjuhës Greke.
Në fjalën e tij përshëndetëse, dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, z.Artur Sula, iu referua përparimit që gjuha greke ka njohur në këto 20 vjet, ngritjen e saj nga degë në Departament dhe theksoi mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm të Ambasadës së Greqisë.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, znj.Eleni Sourani theksoi se gjuha greke është një gjuhë botërore, e vetmja gjuhë e lashtë që qëndroi e gjallë dhe që flitet edhe sot, gjuhë që shërbeu si themel për krijimin e alfabetëve të tjerë dhe për pasurimin e gjuhëve të tjera europiane.
Shefja e Departamentit të Gjuhës Greke, znj. Sofia Delijorgji lexoi mesazhin e Zv.ministrit të Jashtëm të Greqisë, z.Terenc Kuik për “Ditën Botërore të Gjuhës Greke” duke theksuar krenarinë që ndiejnë të gjithë ata që e njohin këtë gjuhë.
Pedagogia e Departamentit të Gjuhës Greke, znj.Isida Foçi (Metaj), foli për zhvillimin e historisë së Gjuhës Greke, që nga Lineari A e deri tek Gjuha e Përbashkët Helenistike dhe Gjuha e Re Greke.