Më 22 qershor 2026, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, organizoi aktivitetin “Udhëtimi akademik përtej kufijve” – Prezantimi i përvojave të stafit akademik në mobilitetet ndërkombëtare, kushtuar prezantimit të përvojave të stafit akademik në mobilitetet ndërkombëtare të realizuara gjatë vitit akademik 2025–2026.
Pedagogë nga departamente të ndryshme ndanë përvojat, rezultatet dhe praktikat më të mira të përfituara përmes mobiliteteve Erasmus+ dhe bashkëpunimeve me universitete partnere evropiane. Këto eksperienca dëshmojnë ndikimin e rëndësishëm të ndërkombëtarizimit në përmirësimin e mësimdhënies, zhvillimin e kërkimit shkencor dhe zgjerimin e partneriteteve akademike.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, vlerësoi angazhimin e stafit akademik në procesin e ndërkombëtarizimit dhe theksoi rëndësinë e ndarjes së përvojave të fituara në universitete partnere, si një mundësi për rritjen e cilësisë së veprimtarisë akademike dhe zgjerimin e perspektivave për studentët dhe stafin.
🤝 Aktiviteti shërbeu gjithashtu si një hapësirë frymëzuese për shkëmbimin e ideve mbi nisma të reja akademike dhe projekte të përbashkëta, në funksion të forcimit të dimensionit ndërkombëtar të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.
✈️📚 Kur përvojat ndahen, dijet udhëtojnë dhe bashkëpunimet krijojnë ura të reja për të ardhmen.













