Më datë 11 qershor 2026, Grupi Mësimor-Kërkimor i Didaktikës, pranë Departamentit të Gjuhës Angleze, organizoi një takim informues online me temë “Sfidat e përgatitjes së prezantimit final të punimit të diplomës”. Aktiviteti u zhvillua në platformën Google Meet dhe kishte si qëllim ofrimin e orientimit dhe mbështetjes për studentët e ciklit të dytë të studimeve në fazën përfundimtare të përgatitjes dhe mbrojtjes së punimit të diplomës.
Gjatë takimit u trajtuan aspektet kryesore akademike, metodologjike dhe praktike që lidhen me prezantimin final të punimit të diplomës. Pjesëmarrësit u njohën me kërkesat dhe standardet akademike të procesit të mbrojtjes si dhe me mënyrat më efektive për të organizuar dhe paraqitur rezultatet e kërkimit të tyre. Në veçanti, diskutimi u përqendrua në strukturën dhe organizimin e prezantimit final, përzgjedhjen dhe paraqitjen e elementeve kryesore të studimit, menaxhimin e kohës gjatë prezantimit, përdorimin efektiv të materialeve vizuale dhe prezantimeve si dhe përgatitjen për pyetjet dhe diskutimin me komisionin e vlerësimit. Gjithashtu, u evidentuan gabimet më të zakonshme që hasen gjatë mbrojtjes së diplomës dhe u ofruan këshilla konkrete për shmangien e tyre.
Studentët patën mundësinë të ndanin shqetësimet dhe pyetjet e tyre lidhur me procesin e mbrojtjes së diplomës. Anëtarët e Grupit Mësimor-Kërkimor të Didaktikës ofruan rekomandime dhe udhëzime praktike të bazuara në përvojën e tyre akademike dhe profesionale, duke nxitur një diskutim konstruktiv dhe nd rveprues.
Takimi informues u zhvillua me sukses dhe u vlerësua pozitivisht nga pjesëmarrësit. Interesi i treguar, pjesëmarrja aktive dhe diskutimet e zhvilluara dëshmuan rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla mbështetëse, të cilat kontribuojnë në përgatitjen akademike dhe profesionale të studentëve. Grupi Mësimor-Kërkimor i Didaktikës do të vijojë organizimin e aktiviteteve të ngjashme në funksion të mbështetjes së studentëve dhe rritjes së cilësisë së procesit mësimor.





