Prof. Roberto Merlo, studiues i gjuhës dhe i kulturës rumune, autor i shumë librave studimorë. Ndër to mund të përmendim: Liguria, terra tra cielo e mare. Ediz. multilingue (Tormena Editore, 2001); Genova in volo (Tormena Editore, 2002); Lago di Garda tra terra e cielo. Ediz. multilingue (Tormena Editore, 2003); Liguria. Emozioni infinite. Ediz. illustrata (Edizioni Erga, 2009); Ripensare l’intervento sociale. Formazione di processo e servizi territoriali. (Edizioni Carocci, 2009); Il mito dacico nella letteratura romena dell’Ottocento (Edizioni dell’orso, 2011) etj. Merlo gjithashtu është edhe autor librash letrarë, si edhe përkthyes i disa veprave letrare nga gjuha rumune.
Në seminarin e mbajtur për studentët dhe pedagogët ai trajtoi ngjashmëritë mes gjuhës rumune dhe asaj shqipe. Ishte interesante për të pranishmit të mësonin se, ndonëse janë gjuhë të cilat nuk kanë të njëjtën prejardhje dhe bëjnë pjesë në familje të ndryshme, rumanishtja dhe shqipja kanë patur mundësi të japin dhe të marrin mes tyre. Në fakt në gjuhën rumune ka mbi 300 fjalë të huazuara, të cilat mendohet se mund të jenë futur nga shqipja, përderisa janë fjalë të cilave në rumanisht nuk u gjendet asnjë kuptim etimologjik dhe mund të shpjegohen fare lehtë në gjuhën shqipe.
Në leksionin e mbajtur me studentët e vitit të II, Bachelor, Prof. Merlo foli për “intercomprensione”, ose thënë ndryshe aftësia për të kuptuar një gjuhë të huaj (të pastudiuar më parë) falë disa strategjive të komunikimit që shfrytëzojnë afërsitë dhe ngjashmëritë mes gjuhëve kryesisht të së njëjtës familje, por jo vetëm. Në fund të leksionit u bë një eksperiment mbi kuptimin e një teksti në gjuhën rumune nga ana e një grupi studentësh, të cilët falë njohurive të mira të gjuhës italiane, arritën të kuptonin në një nivel të kënaqshëm edhe tekstin në rumanisht, ndonëse nuk e njihnin aspak si gjuhë.