Në 13 Qershor nisi Shkolla Verore e Turizmit dhe Kulturës, organizuar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, Muzeun Arkeologjik Durrës, Agjencinë e Përkthimeve dhe Eventeve Cosmos, Shtëpinë Botuese “Toena” dhe Shoqatën e Unionit Turistik Shqiptar.
Dita e parë e Shkollës ishte në Muzeun Historik Kombëtar. Ceremoninë e hapjes e përshëndeti Dekani Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, e cila theksoi rëndësinë e shkollave të tilla që sjellin më afër studentëve praktikat më të mira të integrimit të kurrikulës me kërkesat e tregut të punës. Ajo shtoi se studentët kanë mundësi të shohin nga pranë se sa profesione të bukura do të bëjnë në të ardhmen, duke iu referuar guidave turistike, ciceronëve, agjentëve kulturorë dhe turistik.
Drejtori i Muzeut Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, përgëzoi këtë nismë të re të FGJH-së që ka gjithmonë në qendër të aktiviteteve ekstra kurrikulare studentët dhe aftësimin e tyre me metoda dhe praktika të reja.
Pasi dëgjuan leksionin praktik “Roli dhe aftësitë e ciceronit”, studentët vizituan edhe një pjesë të Muzeut shoqëruar edhe nga guida.
Më pas studentët vizituan Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” ku Znj. Etleva Demollari – Drejtor i Muzeut i njohu me temën: “Konceptimi i një muzeu: mënyra dhe aftësitë e nevojshme për krijimin e një muzeu”. Gjithashtu, studentët vizituan Muzeun dhe u njohën nga afër me objektet dhe artifaktet e ekspozuara aty.