U organizua aktiviteti përkujtimor për “Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit”. Në këtë ditë përkujtohen miliona viktima të politikave të gjenocidit nazist që u kryen gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe përqëndrohet në përpjekjet bashkëkohore për të luftuar urrejtjen dhe anti-semitizmin.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore rreth gjashtë milionë njerëz u vranë, në përpjekjen sistematike për të shfarosjen e hebrenjve.
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, i bashkohemi lutjeve për miliona viktima të pafajshme të mizorisë së Holokaustit dhe për të gjithë ata, të cilët i mbijetuan tragjedisë më të tmerrshme njerëzore të kohërave tona dhe janë sot dëshmitarë të gjallë të saj, për të na inkurajuar, që të mos lejojmë KURRË MË të tilla gjenocide e akte çnjerëzore. Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë, ku nuk humbi jetën asnjë hebre dhe askush prej tyre nuk iu dorëzua pushtuesve nazistë.
Ndaj sot në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës, duhet të ndihemi jashtëzakonisht krenarë që kontribuam në shpëtimin e hebrenjve dhe ky fakt duhet të bëhet i ditur botërisht që edhe brezat që do të vinë të njihen me Kodin tonë të nderit e të mikpritjes BESA!
Për këta heronj shqiptarë që vunë në rrezik jetët e tyre për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shteti i Izraelit akordon një titull të veçantë që quhet ‘Të Drejtët Midis Kombeve’. Këtë titull e kanë marrë disa dhjetëra familje dhe individë shqiptarë, për historitë e të cilëve janë bërë studime dhe janë realizuar disa dokumentarë të njohur dhe promovuar në të gjithë botën. Një nga këta dokumentarë, i cili do të shfaqet gjatë këtij aktiviteti, është edhe “Kodi Shqiptar” (“The Albanian Code”) i regjizores Yael Katzir, producent Gady Castel, prodhuar nga Katzir Production.
Të ftuar në këtë aktivitet ishin Zv. Rektor i Universitetit të Tiranës,
Prof.Asoc. Dr. Bernard Dosti, Ambasadori i Italisë në Shqipëri
Shkëlqesia e Tij Fabrizio Bucci, Drejtor i Përgjithshëm i Integrimit, Projekteve dhe Zhvillimit Ekonomik, Bashkia Tiranë, Z. Genci Kojdheli dhe Presidente Integra Onlus dhe Bridge for the Future Albania Foundation, Dr. Klodiana Çuka.
Gjatë këtij aktiviteti u shfaq edhe dokumentari ‘The Albanian Code’. Ky dokumentar flet për mikëpritjen dhe besën që populli shqiptar u dha hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe promovon cilësitë më të mira të kombit tonë, si mikëpritjen, tolerancën fetare, humanizmin etj.
Ky aktivitet shënon gjithashtu fillimin e një bashkëpunimi me Bashkinë Tiranë, si pjesë e aktiviteteve që do të zhvillohen në kuadër të shpalljes së Tiranës “Kryeqyteti Evropian i Rinisë” për vitin 2022.
FGJH-UT është i vetmi institucion shqiptar i arsimit të lartë, që e ka gjuhën dhe kulturën Hebraike pjesë të kurikulave të tij. Hebraishtja që prej tre vjetësh ofrohet si lëndë kurrikulare. Këtë vit në FGJH do të organizohen edhe evente të tjera si “Promovimi i Letërsisë Hebraike”, “Promovimi i lidhjeve të miqësisë midis popullit shqiptar dhe atij hebre”.