Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Studentit, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, u organizua aktiviteti “Dita e Studentëve të FGJH-së”. Qëllimi i këtij takimi ishte inagurimi i aktiviteteve të klubeve studentore të krijuara në Fakultetin
e Gjuhëve të Huaja me fokus sportin, kulturën, artin, kërkimin shkencor, krijimin e një reviste studentore të FGJH-së, vullnetarizmin, debatin, muzikën, dhe ambientalizmin.
Në fjalën e saj përshëndetëse Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja Prof.Dr. Esmeralda Kromidha shprehu mbështetjen që do t’u jepet studentëve si edhe dialogun e herë pas hershëm që do të ketë midis strukturave drejtuese dhe studentëve.
Në fokus do të jenë gjithmonë studentët jo vetëm në mësimnxënie por edhe në veprimtaritë mësimore, kërkimore e kulturore.
Në fjalën e tij, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof.Dr. Artan Hoxha dha mbështetjen e tij për studentët në mënyrë që ata të jenë aktorë të vërtetë të zhvillimit të Universitetit të Tiranës në kuadër të ndërkombëtarizimit apo
edhe proceseve të tjera akademike. Ai theksoi se studentët duhet të jenë më shumë aktiv në proceset akademike por edhe ato jo akademike, si klubet studentore. Gjithashtu theksoi rëndësinë e përfaqësimit të studentëve në Këshillin Studentor të Fakultetit apo
edhe në struktura të tjera.
Studentëve dhe profesorëve pjesëmarrës në javën e trajnimeve mbi teknologjitë e reja, të organizuara nga FGJH me mbështetjen edhe të Institutit Italian të Kulturës, ju shpërndanë Certifikatat e Pjesëmarrjes.
E ftuar ishte edhe Dr. Edlira Gjoni, e cila mbajti një leksion të hapur “You are worth it!” për t’i motivuar studentët nëpërmjet historisë së saj të suksesit. Qëllimi i këtij leksioni ishte motivimi i studentëve tanë që të bëhen pjesë
e jetës akademike dhe kulturore të Fakultetit në mënyrë që të pajisen jo vetëm me njohuri akademike, por edhe me aftësi jetësore.
Në vijim, Dekania FGJH-së foli edhe për aktivitetitin e rradhës ALUMNI FGJH, i cili do të zhvillohet me 23 Nëntor, aktivitet që do të pasohet me një trajnim dy ditor për studentët e FGJH-së për t’i pajisur me aftësi praktike mbi mënyrën
se si mund të rekrutohen në profesionet e tyre.