Më datë 24 nëntor, departamenti i gjuhës angleze organizoi Konferencën e 13-të Ndërkombëtare, në kuadër të Projektit “Përmirësimi i kërkimit shkencor me kërkuesit e rinj të Departamentit të Gjuhës Angleze” ku morën pjesë pedagogët e gjuhës angleze, kërkues të rinj, studiues dhe akademikë vendas e të huaj.
Një vlerë e shtuar në këtë konferencë ishte pjesëmarrja e dy profesorëve të nderuar, Prof. Henrik Gottlieb, Profesor Emeritus i gjuhës angleze, në Universitetin e Kopenhagenit, Danimarkë, Kryetar i Rrjetit “GLAD” (Global Anglicism Database) dhe Prof. Nick Ceramella zv.President i shoqatës britanike “The D. H. Lawrence Society”, si edhe profesor në universitetet e La Sapienza, Romë, SISS Roma Tre, Università per Stranieri, Perugia, l’Orientale Naples, SICSI Federico II Naples, Università degli Studi dell’Aquila, dhe së fundi profesor në Universitetin e Trentos.
Prof. Dr. Viktor Ristani në cilësinë e Përgjegjësit të Departamentit dhe të Drejtuesit të Projektit hapi konferencën dhe theksoi rëndësinë e organizimit të kësaj konference, rezultatet e të cilës lidhen drejtpërdrejt me cilësinë e mësimdhënies. Konferenca u përshëndet nga Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, Dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, e cila theksoi rëndësinë e kërkimit shkencor dhe mbështetjen që ka gjetur Departamenti i Gjuhës Angleze për realizimin e objektivave të kërkimit shkencor.
Gjatë konferencës u prezantuan dhe u diskutuan mbi 40 punime shkencore nga kërkues të rinj, doktorantë të regjistruar pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja por edhe pedagogë të ftuar nga Italia, Gjermania dhe Kosova në fushën e gjuhësisë, përkthimit dhe letërsisë krahasuese duke qasur gjuhën shqipe me atë angleze.
Ky aktivitet është tregues i punës kërkimore shkencore të pedagogëve të këtij departamenti.