Më 11 maj 2023, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Departamenti i Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike dhe Grupi Mësimor Kërkimor Gjuhësi Përkthim i Gjuhës Ruse , në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Albanologjike, Universitetin e Sofies “St, Klement Ohridski”, Bullgari, si dhe me Universitetin “Fehmi Agani” të Gjakovës, organizuan Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temë bosht “Terminologjia në fushat humane dhe pasqyrimi i saj në fjalorë”.
Konferencën e përshëndeti Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja prof. dr. Esmeralda Kromidha, përgjegjësi i Departamentit të Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike prof. asoc. dr. Adriatik Derjaj, Zëvendës / Rektori i ASA-së, akademiku Valter Memisha, përfaqësuesja e Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, prof. asoc. dr Mimoza Hasani-Pllana, gjuhëtari dhe terminologu prof. dr. Agron Duro, i cili mbajti referatin me temë: “Shfaqje të thyerjes së standardit në terminologji”, si dhe përshëndeti prof.dr. Hëna Pasho.
Konferenca përfshiu 4 seksione të ndarë në dy seanca secili. Gjatë punimeve të saj u prezantuan jo vetëm rezultate të reja të hulumtimit, por edhe u shkëmbyen mendime, këndvështrime e ide të reja kërkimore shkencore mes kapaciteteve të njohura në fushën e leksikut terminologjik në marrëdhënie me leksikun e përgjithshëm, veçanërisht në hartimin e fjalorëve terminologjikë,
shpjegues e dygjuhësh. Konferencën e nderoi me praninë e tij gjuhëtari dhe terminologu prof. dr. Emil Lafe, që me dijet, përvojën dhe përkushtimin e tij të lartë në fushën e terminologjisë përmbylli punimet e këtij eventi shkencor duke vënë theksin se duhet të bëhen studime të mëtejshme rreth terminologjisë të fushave humane dhe të nisin bisedimet për krijimin e një Komiteti Shtetëror të Terminologjisë për njësimin e termave të gjuhës shqipe.
Ky aktivitet shkencor shërbeu si një pikë takimi mes terminologëve, gjuhëtarëve, specialistëve të fushave përkatëse, studiuesve, pedagogëve dhe studentëve të interesuar për leksiko-terminografinë e fjalorëve të fushave humane në gjuhën shqipe dhe atë të huaj. U trajtuan tema me interes të veçantë, të cilat u diskutuan nga të pranishmit.
Kumtesat e mbajtura në këtë konferencë shkencore ndërkombëtare së shpejti do të publikohen në librin e akteve të kësaj konference.