Mësimdhënia e gjuhës kroate në Universitetin e Tiranës

Më 6 tetor 2026, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i Universitetit të Tiranës organizoi ceremoninë e përfshirjes së gjuhës kroate në ofertën e tij akademike, duke shënuar një hap të rëndësishëm në zgjerimin e bashkëpunimit ndëruniversitar dhe në forcimin e dimensionit ndërkombëtar të veprimtarisë së fakultetit. Duke nisur nga ky vit akademik, studentët e Universitetit të Tiranës do të kenë mundësinë të studiojnë gjuhën kroate dhe të njihen më nga afër me historinë, kulturën, letërsinë dhe traditat e Kroacisë.
Aktiviteti u çel nga Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, e cila theksoi rëndësinë e kësaj nisme të realizuar në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe Ministrisë së Shkencës, Arsimit dhe Rinisë të Republikës së Kroacisë për bashkëpunim në fushën e kërkimit shkencor, konferencave dhe botimeve akademike.
Në ceremoni morën pjesë dhe përshëndetën të pranishmit Sh. T. z. Zlatko Kramarić, Ambasador i Republikës së Kroacisë në Shqipëri, Prof. Dr. Mark Marku, Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, si dhe Znj. Ivana Fakac, Këshilltare e lartë në Ministrinë e Shkencës, Arsimit dhe Rinisë të Republikës së Kroacisë. Në fjalët e tyre u vlerësua rëndësia e promovimit të gjuhës dhe kulturës kroate në mjedisin universitar shqiptar, si një instrument i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve akademike dhe kulturore mes dy vendeve.
Gjatë aktivitetit u prezantua zyrtarisht Dr. Nataša Veinović, lektore e gjuhës dhe letërsisë kroate në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, e cila do të kontribuojë në zhvillimin e mësimdhënies dhe promovimin e studimeve kroate në të gjitha njësitë përbërëse të Universitetit të Tiranës.
Një moment i veçantë i ceremonisë ishte përurimi i Këndit të Bibliotekës së Gjuhës dhe Letërsisë Kroate në Bibliotekën “Rozafa”, i cili do të shërbejë si një burim i rëndësishëm studimi dhe kërkimi për studentët, pedagogët dhe të gjithë të interesuarit për gjuhën dhe kulturën kroate.
Përfshirja e gjuhës kroate përfaqëson një arritje të rëndësishme në procesin e ndërkombëtarizimit të Universitetit të Tiranës dhe të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, duke krijuar një urë të re bashkëpunimi akademik, kulturor dhe shkencor ndërmjet Shqipërisë dhe Kroacisë. Nëpërmjet kësaj nisme, fakulteti vijon të zgjerojë hapësirat e dialogut ndërkulturor dhe të promovojë diversitetin gjuhësor si pjesë të misionit të tij akademik.
#UT #FGJH #Kroatisht #GjuhaKroate #ShqipëriKroaci #StudimeKroate #ArsimiLartë #Bashkëpunim #Ndërkombëtarizim #GjuhëTëHuaja