Prezantimi i librit “Arti i Papërsosurisë: Studime, reflektime e qasje mbi trininë autor, proces përkthimi e përkthyes letrar”

📚🌍 Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit, Prof. asoc. dr. Diana Kastrati, prezantoi librin e saj të ri “Arti i Papërsosurisë: Studime, reflektime e qasje mbi trininë autor, proces përkthimi e përkthyes letrar” në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës.

Prof. asoc. dr. Kastrati, aktualisht Drejtore Ekzekutive e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), pedagoge dhe studiuese e letërsisë e kulturës italiane, me një kontribut të spikatur në fushën e përkthimit letrar dhe studimeve mbi përkthimin, është vlerësuar me çmime dhe tituj të rëndësishëm kombëtarë e ndërkombëtarë, si Çmimi Kombëtar i Përkthimit “Pashko Gjeçi” (2025), Çmimi Kombëtar për “Përkthimin më të Mirë të Vitit” (2016), si dhe mban titullin “Cavaliere della Stella d’Italia” (2018), akorduar nga Presidenti i Republikës Italiane.

Nëpërmjet moderimit të Prof. asoc. dr. Marsela Likaj, Zëvendësdekane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, të pranishmit u njohën me profilin akademik dhe profesional të Znj. Kastrati, kontributin e saj në fushën e përkthimit letrar, studimeve mbi përkthimin dhe kulturën italiane. Përmes pyetjeve dhe reflektimeve, diskutimi u përqendrua te temat kryesore të librit, duke u ndalur veçanërisht te raporti mes autorit, procesit të përkthimit dhe përkthyesit letrar. Autorja ndau me publikun përvoja dhe reflektime të mbështetura në veprimtarinë e saj shumëvjeçare si studiuese, pedagoge dhe përkthyese e veprave të autorëve të njohur të letërsisë italiane, si Umberto Eco, Alberto Moravia, Andrea Camilleri, Antonio Pennacchi dhe Carlo Levi.

Diskutimi solli në vëmendje përkthimin jo vetëm si një proces gjuhësor, por edhe si një akt interpretimi kulturor dhe krijues, duke nxitur interes dhe reflektim tek të pranishmit. Aktiviteti u kthye në një mundësi të vlefshme dialogu për vlerën e përkthimit në ndërtimin e urave të komunikimit mes gjuhëve, kulturave dhe traditave.

#DitaNderkombetareEPërkthimit #FGJH #UniversitetiITiranës #Përkthimi #Letërsia #TranslationDay #FGJHUT