Më 24 prill 2025, në Bibliotekën “Argjiro” të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja u organizua aktiviteti me temë “Ripërkthimi i Don Kishotit në shqipe”, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Librit. Takimi u organizua nga Departamenti i Gjuhës Spanjolle dhe solli në vëmendje vlerën kulturore dhe gjuhësore të përkthimit letrar.
I ftuar ishte përkthyesi i njohur Bajram Karabolli, i cili ndau me të pranishmit përvojën e tij shumëvjeçare si dhe reflektimet mbi procesin e përkthimit të veprës monumentale të Servantesit. Në aktivitet morën pjesë pedagogë, studentë të gjuhës spanjolle, si dhe nxënës të shkollës së mesme “Asim Vokshi”.
Ky takim shërbeu si një hapësirë reflektimi mbi sfidat e përkthimit, rëndësinë e ruajtjes së stilit dhe përmbajtjes së origjinalit, si dhe rolin që përkthyesi luan në ndërmjetësimin mes kulturave.


