U përmbyll me sukses Seminari Kombëtar HERE (Higher Education Reform Experts) me titull “Orientation of University Curricula and Innovative Approaches to Building Future Skills”, me fokus tematik “Science and Technology Transfer”.
Seminari u zhvillua më 21–22 shtator 2026, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, në sallën “Evropa” dhe bibliotekën “Rozafa”. Aktiviteti u organizua me angazhimin e Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, Dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe anëtare e HERE Team Albania.
Në hapjen e seminarit përshëndetën:
Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, Dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe anëtare e HERE Team Albania;
znj. Armela Baka, Zëvendësministre e Arsimit, përgjegjëse për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor;
z. Miha Pezelj, drejtues i ekipit për Zhvillimin Social-Ekonomik në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri;
z. Geron Kamberi, Koordinator Kombëtar i Zyrës Kombëtare Erasmus+ në Shqipëri;
znj. Gentiana Sharku, Zëvendësrektore e Universitetit të Tiranës.
Në kuadër të seminarit, z. Robert Dumi, Drejtor i Drejtorisë së Programeve Ndërkombëtare pranë Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, prezantoi Programin Kombëtar të Teknologjisë dhe Inovacionit si një mundësi për financimin e projekteve të përbashkëta ndërmjet akademisë dhe biznesit.
Znj. Gentiana Bardhi, përfaqësuese e Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, trajtoi kuadrin ligjor dhe institucional për mbrojtjen e pronësisë intelektuale në Shqipëri, me fokus të veçantë te patentimi i shpikjeve që burojnë nga rezultatet e kërkimit shkencor.
Ekspertë të seminarit ishin:
Dr. Dina Batista Pereira, eksperte në sipërmarrje, inovacion, transferim të njohurive dhe menaxhim;
Assoc. Prof. Dr. João Carlos Correia Leitão, Zëvendësrektor në Universitetin e Beira Interior, Portugali, dhe ekspert në ekonomi, sipërmarrje, inovacion dhe zhvillim rajonal.
Një falenderim i vecantë shkon për ekspertet që me prezantimet e tyre, theksuan se patentimi përbën një instrument të rëndësishëm për mbrojtjen e shpikjeve dhe rezultateve novatore të kërkimit shkencor. Mbrojtja e pronësisë intelektuale u mundëson studiuesve dhe institucioneve të ruajnë të drejtat mbi krijimet e tyre dhe krijon kushtet për përdorimin, licencimin apo zhvillimin e mëtejshëm të tyre në bashkëpunim me sektorin privat.
Një nga idetë kryesore të seminarit ishte nevoja për të ndërtuar një urë të qëndrueshme ndërmjet kërkimit shkencor dhe zbatimit të tij në praktikë. Universitetet duhet të kenë struktura dhe specialistë që i udhëzojnë studiuesit nga lindja e një ideje, te mbrojtja e saj përmes patentimit dhe deri te transferimi drejt tregut. Në këtë mënyrë, rezultatet e kërkimit nuk mbeten vetëm publikime shkencore, por mund të shndërrohen në produkte, teknologji dhe zgjidhje me ndikim konkret në shoqëri dhe ekonomi.
Pjesëmarrësit analizuan raste konkrete që lidhen me patentat, sekretet tregtare, marrëveshjet e konfidencialitetit, transferimin e materialeve kërkimore dhe menaxhimin e rezultateve të projekteve të përbashkëta. Rastet studimore shërbyen për të ilustruar rëndësinë e patentimit në mbrojtjen e një produkti, si dhe ndikimin e tij në treg dhe në zhvillimin e mëtejshëm të inovacionit. Gjithashtu ky seminarit ndërthuri prezantimet teorike me punën në grupe, analizën e rasteve studimore dhe diskutimet ndërmjet pjesëmarrësve.
Ekspertet, përmes përvojës së tyre të pasur akademike dhe profesionale, sollën perspektiva ndërkombëtare, njohuri të specializuara dhe përvoja konkrete nga praktika. Kontributi i tyre pasuroi diskutimet dhe u ofroi pjesëmarrësve ide të vlefshme mbi mbrojtjen e pronësisë intelektuale, transferimin e njohurive dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe sektorit të biznesit.
Një falënderim i veçantë u drejtohet gjithashtu përfaqësuesve të universiteteve publike dhe private, institucioneve pjesëmarrëse dhe të gjithë të pranishmëve për interesin, diskutimet dhe kontributin e tyre në zhvillimin e aktivitetit.
Seminari krijoi një hapësirë të vlefshme për shkëmbimin e përvojave mbi orientimin e kurrikulave universitare drejt aftësive të së ardhmes, mbrojtjen e rezultateve të kërkimit shkencor dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve, institucioneve publike dhe sektorit të biznesit.












