Ndiheni të diskriminuar? Jeni dëshmitar i një diskriminimi? Raporto Diskriminimin

Në datën 15 korrik 2025, në kuadër të Shkollës Verore të Gjuhës Bullgare, vijuan aktivitetet mësimore me një përkushtim të lartë nga të gjithë pjesëmarrësit. Gjatë ditës, u mbajtën orët e gjuhës praktike në të dyja nivelet e kursit, ku studentët punuan për të përmirësuar aftësitë e tyre komunikuese në gjuhën bullgare, përmes ushtrimeve interaktive, dialogëve, leximeve të drejtuara dhe situatave të simuluara nga jeta e përditshme.

Pjesë e rëndësishme e programit të ditës ishte edhe referati i mbajtur nga Prof. As. Dr. Raqi Bello, pedagog nga Universiteti “Shenjtorët Kirili dhe Metodij” i Veliko Tërnovës, Bullgari. Me temën “Pakica bullgare në Shqipëri – urë lidhëse midis dy vendeve”, lektori solli në vëmendje një aspekt të veçantë të marrëdhënieve shqiptaro-bullgare, duke hedhur dritë mbi historinë e pranisë së pakicës bullgare në Shqipëri.

Gjatë këtij ligjërimi, studentët patën mundësinë të njihen me rrënjët historike të kësaj pakice, me traditat dhe zakonet e tyre kulturore, si dhe me veçoritë gjuhësore të të folmeve të tyre arkaike, të cilat përbëjnë një pasuri të çmuar gjuhësore dhe kulturore. Diskutimi nxiti reflektim dhe interes të thellë mbi rolin që pakicat luajnë në forcimin e lidhjeve ndërmjet kombeve, si dhe mbi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të identitetit të tyre.