Më 18 korrik 2025, në kuadër të Shkollës Verore të Bullgarishtes, vijuan me intensitet orët praktike të gjuhës bullgare për të dy nivelet e studentëve – fillestar dhe të avancuar – nën drejtimin e Prof. As. Dr. Raqi Bello dhe Dr. Miranda Bello.
Në kuadër të programit didaktik dhe kulturor, Dr. Miranda Bello, lektore e gjuhës bullgare pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, bashkë me studentët shqiptarë dhe bullgarë organizuan një prezantim të pasur dhe ndërveprues me temë: “Trashëgimia kulturore dhe natyrore bullgare dhe shqiptare në listën e UNESCO-s”.
Studentët patën mundësinë të njihen nga afër me pasuritë më përfaqësuese të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të të dy vendeve, të cilat gëzojnë mbrojtje ndërkombëtare si pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Diskutimet u përqendruan si në aspektin historik dhe simbolik të këtyre objekteve, ashtu edhe në potencialin e tyre për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit. Ky aktivitet u vlerësua si një moment frymëzues i ndërgjegjësimit kulturor dhe ndërkulturor për të rinjtë pjesëmarrës.