Në datën 20.06.2018, në bashkëpunim me studentët e Programeve Master, Departamenti i Gjuhës Angleze organizoi Konferencën e Parë të Studentëve të Anglishtes (First Junior Conference) me temë “New Dimensions and Approaches in English Studies”, në të cilën u mbajtën 24 kumtesa në fushën e mësimdhënies dhe metodologjisë së gjuhëve të huaja, studimeve përkthimore, studimeve kulturore dhe komunikimit, të përgatitura dhe prezantuara nga studentët e të tre Programeve Master.
Të ftuarve të pranishëm iu uroi mirëseardhjen Përgjegjësi i Departamentit të Anglishtes, Prof. Dr. Viktor Ristani, i cili vuri në dukje rëndësinë e kësaj konference të parë të studentëve në gjallërimin e mëtejshëm të jetës studentore dhe ekstrakurrikulare, ndihmesën dhe mbështetjen e Dekanit të FGJH-së për Departamentin e Gjuhës Angleze.
Në seancën plenare ishte i pranishëm Dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja Prof. Dr. Artur Sula, i cili në fjalën e tij përshëndetëse, duke falënderuar organizatorët e kësaj konference të parë të këtij lloji në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, theksoi rëndësinë e saj jo vetëm për Departamentin e Anglishtes, por edhe Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Gjithashtu, në këtë kontekst, u vlerësuan përpjekjet e vazhdueshme në përmbushjen e synimeve për një proces mësimdhënie dhe edukimi sa më të mirë të studentëve në përballimin e sfidave në të ardhmen, si dhe ndihmesën në sigurimin dhe menaxhimin e cilësisë së duhur të përgatitjes së studentëve në përputhje me kërkesat e tregut kombëtar, rajonal e ndërkombëtar të punës.
Seanca plenare u pasua nga një shfaqje recitimi, në të cilën një grup studentësh të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve përshëndetën pjesëmarrësit me recitime poezish nga poetë të rëndësishëm anglezë dhe amerikanë, si dhe me krijime të tyre në gjuhën shqipe dhe angleze, veprimtari që tregoi aspektin tjetër të punës me studentët brenda Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, ku individualiteti dhe talenti i secilit çmohet dhe gjen përkrahje të zhvillohet.
Studentët vazhduan më tej me referimet e temave të përgatitura dhe diskutimet në seanca të njëkohësishme sipas fushave studimore dhe kërkimore-shkencore të veçanta, të shoqëruar nga pyetje, diskutime dhe sugjerimen të ndryshme. Konferenca dhe kumtesat e natyrave dhe fushave të ndryshme të studimeve të gjuhës angleze u shërbyen studentëve të Programeve Master i Shkencave në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, të cilët ndoqën me interes punimet e Konferencës, shkëmbyen përvojat e tyre në ndihmë të forcimit dhe thellimit të mëtejshëm e zgjerimit të bashkëpunimit profesional e ndërpersonal në këto fusha të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.