Bashkëpunim në kuadër të projektit Integrimi i kompetencave të EMI-t në Programin e Studimit Bachelor në Gjuhë Angleze (Profili Gjuhë Angleze) Pjesëmarrje në trajnime të organizuara nga Instituti Shqiptar i Medias me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Shqipëri. Seancat e trajnimeve u organizuan nga ekspertja e ftuar si US Fulbright Scholar Monika Hanley.
Edukimi për Median dhe Informacionin luan një rol të qenësishëm në përvetësimin e njohurive gjuhësore, veçanërisht në zhvillimin e aftësive analitike gjatë përftimit të gjuhës së huaj. Lëndët në programin e studimit Bachelor Gjuhë Angleze, zhvillohen në gjuhë të huaj (anglisht) dhe materialet didaktike të përdorura nga pedagogët në auditor janë në përputhje me qasjen e prezantimit të materialeve autentike. Lënda Shprehi komunikimi ofron një qasje të elementëve të komunikimit njerëzor parë nga perspektiva shkencore dhe praktike e fushës. Programi përqendrohet në tri shtylla kryesore që janë respektivisht komunikimi ndërpersonal, publik dhe mediatik. Nisur nga përparimi i teknologjisë dhe ndryshimi i mënyrave të komunikimit drejt atyre online, lind nevoja për njohuri më të thelluara në fushën e medias, funksionet e medias dhe mbi të gjitha etika. Për këtë arsye propozojmë zgjerimin e tematikës së programit të lëndës me temat më lart për t’u thelluar në përkufizimin e qartë të komunikimit mediatik, funksionet e tij, rolin që luan media në jetën tonë, etika dhe elementët e edukimit mediatik. Produkti konkret përputhet me kalendarin akademik të programeve lëndore dhe zbatimin e tyre në auditor.