KONFERENCA KOMBËTARE “NË VEPRIM KUNDËR ANTIROMIZMIT”

Më 21 nëntor 2025, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, u zhvillua Konferenca Kombëtare “Në Veprim Kundër Antiromizmit”, një aktivitet i rëndësishëm që mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, akademisë, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertë nga rajoni, me synim promovimin e barazisë, përfshirjes sociale dhe luftën kundër antiromizmit.

Konferenca u çel me fjalën përshëndetëse të z. Bledar Taho (IRCA) dhe Prof. Dr. Esmeralda Kromidhës, të cilët theksuan rëndësinë e promovimit të diversitetit, angazhimin institucional për hapjen e kurseve të gjuhës rome në Universitetin e Tiranës, si dhe nevojën për ndërmarrjen e nismave të mëtejshme në mbështetje të komunitetit rom dhe kundër diskriminimit.

Në vijim u prezantua projekti rajonal “Përtej Barrierave: Rezilienca e Romëve në Ballkanin Perëndimor”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, i cili synon fuqizimin e komunitetit rom, rritjen e pjesëmarrjes së tij në jetën publike dhe reduktimin e formave të antiromizmit në rajon.

Paneli I: Angazhimi institucional kundër antiromizmit
Paneli i parë, i moderuar nga znj. Brisilda Taço, solli në vëmendje rolin e institucioneve në hartimin dhe zbatimin e politikave për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit rom. Në këtë panel morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokati i Popullit, Komiteti për Pakicat Kombëtare, Bashkia Tiranë dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit. Diskutimet u përqendruan në sfidat ekzistuese dhe në nevojën për koordinim institucional në luftën kundër diskriminimit dhe përfshirjen sociale të romëve.

Paneli II: Qasja akademike kundër antiromizmit
Paneli i dytë u moderua nga z. Emiliano Aliu, Drejtor Ekzekutiv i Roma Versitas Albania. Diskutimet u fokusuan në rolin e arsimit dhe kërkimit shkencor në promovimin e përfshirjes dhe luftën kundër stereotipeve diskriminuese.
Ndër folësit ishin znj. Anida Kisi, Zëvendësdekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, e cila theksoi rëndësinë e angazhimit në projekte kërkimore mbi komunitetin rom; znj. Pamela Kofsha, psikologe pranë fakultetit, e cila prezantoi praktikat dhe mekanizmat e referimit të rasteve të diskriminimit në mjedisin universitar; si dhe z. Raxhi Rakipi, mësues i gjuhës rome dhe shqipe, i cili vuri në dukje nevojën për mbështetje më të madhe institucionale për mësimdhënien e gjuhës rome.

Paneli III: Roli i shoqërisë civile dhe bashkëpunimi rajonal
Në pjesën përmbyllëse të konferencës, fokusi iu kushtua kontributit të shoqërisë civile në luftën kundër antiromizmit. Paneli u moderua nga znj. Manjola Veizi, Drejtore Ekzekutive e RWRC, dhe mblodhi ekspertë romë dhe aktivistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Pjesëmarrësit ndanë përvoja, praktika të suksesshme dhe rekomandime për forcimin e bashkëpunimit rajonal. Diskutimet theksuan rëndësinë e ndërtimit të politikave gjithëpërfshirëse, fuqizimit të organizatave rome dhe krijimit të mekanizmave efektivë për adresimin sistematik të diskriminimit.

Konferenca përfundoi me një thirrje të përbashkët për bashkëpunim ndërinstitucional, angazhim akademik dhe pjesëmarrje aktive të shoqërisë civile, me qëllim ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse, ku diversiteti vlerësohet dhe të drejtat e komunitetit rom respektohen plotësisht.