Në datat 23-24 tetor 2023, me iniciativën e FGJH-UT, Grupi Kërkimor Didaktikë e gjuhës frënge u zhvillua konferenca ndërkombëtare me temë ” Didaktika e kulturave dhe gjuhëve të huaja: nga politikat gjuhësore në qasjet për një kompetencë të shumëgjuhësisë”, një aktivitet shkencor që kishte në fokus të punimeve arritjet e fundit në fushën e didaktikës së gjuhëve dhe kulturave të huaja, praktikat më të mira në fushën e mësimdhënies si dhe politikat gjuhësore që promovojnë shumëgjuhësinë dhe ndërkulturalitetin si kompetencë e rëndësishme e së ardhmes.
103 studiues vendas e të huaj prezantuan në punimet e tyre qasjet teorike dhe praktikat vetjake lidhur me përmirësimin e mësimdhënies së gjuhë të huaja, të politikave gjuhësore dhe përdorimin e qasjeve inovatore e teknologjive të informacionit me qëllim rritjen e rezultateve në fushën e mësimdhënies dhe garantimin e kompetencës së shumëgjuhësisë e multikulturalitetit për t’u orientuar dhe kontribuar në një shoqëri gjithmonë e më të hapur.
Pjesëmarrja e larmishme e studiuesve nga institucione publike e private të arsimit të lartë, brenda dhe jashtë vendit, mundësuan jo vetëm shkëmbime cilësore akademike por edhe prurje inovative e përfundime konkrete që pasurojnë mendimin didaktik shqiptar në fushën e shumëgjuhësisë, i bëjnë më efikase institucionet tona të arsimit të lartë, projektojnë më mirë formimin fillestar dhe të vazhduar të mësuesve të gjuhëve të huaja për t’i kthyer dijet teorike në kompetenca konkrete në shërbim të shoqërisë.