Master i shkencave në Përkthim teknik – letrar dhe interpretim

MASTER I SHKENCAVE NË PËRKTHIM TEKNIK – LETRAR DHE INTERPRETIM

Titulli akademik i studimit Diplomë Master i Shkencave në Përkthim Teknik - Letrar dhe Interpretim
Cikli i studimit Studime të Ciklit të Dytë
Emri dhe statusi i institucionit Universiteti i Tiranës, Institucion Publik
Gjuha e përdorur në mësimdhënie/ provime Shqip
Kohëzgjatja zyrtare e programit të studimit 2 (dy) vite
Forma e studimit Me kohë të plotë
Kredite 120
Objektivat dhe veprimtaritë formuese të programit të studimit

Programi Master i Shkencave në “Përkthim Teknik – Letrar dhe Interpretim” ofrohet nga të gjithë Departamentet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe synon të përgatisë formimin e një figure profesionale të zhdërvjellët, përkthyes dhe interpret profesional, i aftë të përkthejë me gojë dhe me shkrim, tekste dhe ligjërime me shkallë të lartë vështirësie dhe rëndësie. Studentët e diplomuar nga ky program studimi lehtësojnë komunikimin mes gjuhëve dhe kulturave që janë në komunikim të vazhdueshëm me gjuhën shqipe si edhe shoqërojnë dinamikën e marrëdhënieve ndërgjuhësore dhe ndër kulturore dhe të fushave të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë shqiptare.

Plani mësimor i këtij programi studimi dhe veprimtaritë formuese që e karakterizojnë, të cilat mbështeten në aktivizimin dhe përftimin e kompetencave të larta të përkthimit dhe interpretimit në dy gjuhë të huaja përpos gjuhës shqipe, do ta udhëheqin studentin drejt marrjes së kompetencave profesionale të vlefshme për ushtrimin e profesionit të tij. Programi i studimit u mundëson studentëve në nivelin Master të fitojnë njohuri të thella për proceset e përfshira në fushën e përkthimit dhe interpretimit, por edhe aftësinë për të kryer dhe ofruar një shërbim përkthimi në përputhje me standardet më të larta profesionale dhe etike, vendase dhe evropiane.

Programi ka këto objektiva:

  • Të pajisë studentët me kompetencë të lartë përdorimi të dy gjuhëve të huaja dhe të një gjuhe të huaj të tretë në nivel mesatar ose të përparuar;
  • Të përgatisë specialistë me njohuri të thelluara të parimeve dhe të teknikave të përkthimit dhe të interpretimit, të kulturave dhe të institucioneve që lidhen me gjuhët e përzgjedhura si edhe të disiplinave bazë të shkencave shoqërore, ekonomike dhe juridike.
  • Të përsosë njohuritë praktike duke aftësuar studentin për një vëmendje të veçantë ndaj problematikave të lidhura me tregun e brendshëm dhe të jashtëm të punës;
  • Të zhvillojë dhe rrisë aftësitë e studenteve për përdorimin e mjeteve informatike dhe telematike në fushat me kompetenca specifike;

 

Praktika profesionale

Praktika profesionale e programit Master i shkencave në “Përkthim Teknik-Letrar dhe Interpretim”, përbën një element të rëndësishëm në kurrikulat e programit  që synon thellimin e aftësimit profesional të studentit dhe zbatimit të njohurive të karakterit praktik dhe profesional të fituara gjatë programit të studimit të ciklit të dytë në fushën e përkthimit dhe interpretimit. Praktika profesionale synon të krijojë kushte të përshtatshme për njohjen dhe përshtatjen e studentëve në mjedisin profesional. Praktika nëpër institucione synon të jetë një eksperiencë e vlefshme e cila mund të shërbejë edhe si një pikënisje e një karriere të suksesshme në të ardhmen.

Për të plotësuar objektivat dhe veprimtaritë formuese të parashikuara në planin mësimor, studentët duhet të zhvillojnë praktikë në një ose disa institucione/organizata/kompani vendase ose të huaja. Marrëveshjet e shumta të tipit MOU që Fakulteti i Gjuhëve të Huaja (FGJH) ka me institucione publike dhe private, (agjenci përkthimi, muze, kompani të ndryshme, Arkivën e Shtetit, ndërmarrje a kompani të ndryshme që kanë në fokus përkthimin dhe interpretimin) u sigurojnë studentëve vënien në praktikë të njohurive teorike të përfituara gjatë mësimnxënies në auditor. Gjatë praktikës, studenti aktivizon dhe ndërlidh njohuritë teorike me ato praktike, në mënyrë që praktika nëpër institucione të jetë një eksperiencë e vlefshme e cila mund të shërbejë edhe si një pikënisje e një karriere të suksesshme dhe punësimi në të ardhmen.

 

Kompetenca

Kompetencat e synuara për t’u përftuar nga ky program studimi janë në përputhje me Kuadrin e kompetencave të  EMT – Masterave Evropianë në Përkthim – European Master’s in Translation –i cili është në fuqi për periudhën 2018-2024.

Programi, me një gamë të gjerë të lëndëve, të parashikuara gjatë dy viteve të studimit, ngërthen disiplina të larmishme, të cilat sigurojnë formim të specializuar universitar në fushën përkatëse, si edhe synojnë:

  • Formimin e përkthyesve dhe interpretëve si figura profesionale, të aftë për të përballuar dinamikën e marrëdhënieve ndërkulturore dhe të fushave të ndryshme të zhvillimit.
  • Njohuri të thelluara të parimeve të përkthimit dhe interpretimit, të kulturave dhe institucioneve që lidhen me gjuhët e përzgjedhura, si dhe të disiplinave bazë të shkencave shoqërore.
  • Përftimin e kompetencave, shprehive dhe njohurive të transferueshme gjuhësore, kulturore të karakterit të përgjithshëm dhe të specializuar në dy gjuhë të huaja dhe në shqipe me një vëmendje të veçantë ndaj problematikave që lidhen me tregun e brendshëm dhe të jashtëm të punës.
  • Aftësimin në përvetësimin e strategjive të përkthimit dhe interpretimit edhe në fusha të specialitetit si: marrëdhëniet ndërkombëtare, jurisprudenca, biznesi, turizmi etj.
  • Aftësimin për përdorimin e mjeteve informatike në fushat me kompetenca specifike.

 

Diplomë evropiane në “Përkthim profesional”

Studentët e regjistruar në këtë program studimi mund të bëhen pjesë e një programi evropian në fushën e përkthimit “ Master i delokalizuar 1 (një) vjeçar në Përkthim profesional” i cili ofrohet në bashkëpunim me Universitetin e Strasburgut, ITIRI-Institutin e Përkthyesve dhe Interpretëve dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe të përftojnë kështu një diplomë të huaj. Procedurat e aplikimit dhe pranimit të studentëve në këtë program studimi bëhen të njohura në fillim të çdo viti akademik.

 

Mundësitë e punësimit dhe të kualifikimit profesional

Studentët që diplomohen në këtë program studimi mund të punësohen si:

  • Përkthyes dhe/ose interpret në institucione publike dhe private;
  • Përkthyes i teksteve letrare për kërkesat specifike të shtëpive botuese dhe ato editoriale;
  • Përkthyes dhe/ose interpret në organizma dhe organizata ndërkombëtare, shoqata të huaja dhe vendase;
  • Ndërmjetës gjuhësor dhe ndërkulturor i marrëdhënieve midis vendit tonë dhe vendeve të tjera;
  • Ndërmjetës gjuhësor dhe ndërkulturor në administratën publike;
  • Ndërmjetës gjuhësor dhe ndërkulturor në OJF të ndryshme;
  • Ndërmjetës gjuhësor dhe ndërkulturor në entet lokale;
  • Ndërmjetës gjuhësor dhe ndërkulturor në mediet e ndryshme të shkruara dhe elektronike, në shtëpitë botuese, ku të angazhohet në përkthimin e veprave apo eseve me përmbajtje letrare, publicistike, teknike, socio-ekonomike, informatike, etj.;
  • Ndërmjetës gjuhësor dhe ndërkulturor pranë organizmave që operojnë në fushën e bashkëpunimit kulturor me bagazhin, kompetencat dhe kapacitetin e tij si përkthyes dhe/ose interpret;

PLANI MËSIMOR Master i Shkencave “Përkthim teknik-letrar dhe interpretim”

PLANI MËSIMOR
Master i Shkencave “Përkthim teknik-letrar dhe interpretim”
Nr. VITI I . LËNDË TË DETYRUARA KREDITE SEMESTER ORËT NË AUDITOR
SEMESTRI I
1. Përkthim B-A 6 I/I 60
2. Përkthim A-B 3 I/I 30
3. Gjuhë e huaj C (niveli i avancuar) 3 I/I 30
4. Përkthim C-A 6 I/I 60
5. Lëndë me zgjedhje**Të folurit publik 3 I/I 60
6. Gjuhë shqipe: Teknika të redaktimit dhe të shprehjes 6 I/I 60
7. Metodologjia e përkthimit 3 I/I 30
SEMESTRI II
8. Përkthim B-A (2) 6 I/II 45+45
9. Përkthim A-B (2) 4 I/II 45
10. Përkthim C-A (2) 5 I/II 60
11. Gjuhësi e zbatuar 4 I/II 40
12. Komunikim ndërkulturor 4 I/II 40
13. Testimi dhe vlerësimi në gjuhën B 5 I/II 50
14. Gjuhë e huaj C (Nivel i avancuar 2) 4 I/II 45
Gjithsej 60 715
VITI II . LËNDË TË DETYRUARA KREDITE SEMESTER ORËT NË AUDITOR
SEMESTRI I
1. Metodologjia e Interpretimit 3 II/I 30
2. Interpretim B-A dhe A-B 10 II/I 100
3. Interpretim C-A 8 II/I 80
4. Përkthim letrar B-A 3 II/I 30
5. Kërkim shkencor 6 II/I 60
SEMESTRI II
6. Praktikë 5 II/II
7. Teza Diplomës 25 II/II
**LËNDË ME ZGJEDHJE / Gjuhësi e aplikuar në përkthim / Përkthim automatik / Përkthim editorial / Histori dhe Gjeografi e Ballkanit / Organizmat ndërkombëtarë (evropiane) / Të folurit publik/ Terminologji / Histori e përkthimit dhe refleksione teorike / Metodologji e kërkimit dhe e mjeteve të përkthimit
Gjithsej 60 300
Gjithsej në 2 vite 120 930