Dr. Edvin Cami është i punësuar me kohë të plotë pranë Departamentit të Gjuhës Gjermane, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës. Ka qenë i angazhuar si pedagog në institucione të ndryshme të arsimit të lartë që prej vitit 2006.
Ka përfunduar në vitin 2001 studimet për gjuhë gjermane në Universitetin “Marmara” të Stambollit. Më tej, ka kryer studime pasuniversitare në fushën e mësuesisë së gjuhës gjermane në Universitetin “Karl Franc” të Gracit, si dhe ka mbaruar studimet e Masterit për letërsi gjermane në Universitetin e Tiranës. Në vitin 2019, ka doktoruar në Universitetin “Ludvig Maksmilian” të Munihut në fushat letërsi moderne gjermane (maxhor) dhe histori e kulturë e Lindjes së Mesme e turkologji (minor).
Fushat kryesore të mësimdhënies e të hulumtimit përfshijnë letërsinë gjermane nga mesjeta deri në kohën e sotme, fonetikën/fonologjinë dhe didaktikën e gjuhës së huaj.
Është autor i një numri artikujsh e punimesh monografike, botuar brenda e jashtë vendit, ndër të cilat librat “Gëtja mes Perëndimit dhe misticizmit oriental”, botuar nga shtëpia botuese “Pika pa Sipërfaqe”, si dhe “Begegnungen mit dem Orient im literarischen Schaffen Goethes”, botuar nga J. B. Metzler/Springer.
Është i angazhuar edhe si përkthyes i një numri veprash letrare e pragmatike nga gjuhët gjermane, angleze, turke e italiane. Veçanërisht përkthime të tij nga letërsia gjermane janë vlerësuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.