HISTORIKU
Universiteti ynë është një institucion me traditë. Themelimi i tij daton më 1957 por është për tu përmendur fakti se gurët e parë në themelimin e Universitetit të Tiranës janë vendosur që me krijimin e institucioneve të para arsimore që prej vitit 1946. Qysh atëherë kanë kaluar disa dhjetëvjeçarë dhe bashkë me ta breza të tërë pedagogësh, shkencëtarësh, punonjësish dhe studentësh. Dhe suksesi i Universitetit të Tiranës u kushtohet pikërisht atyre. Prandaj, mijëra studentë të rinj që e njohin këtë traditë dhe profesorët që punojnë me ta, ecin në gjurmët e tyre, duke u përpjekur vazhdimisht për të qenë kudo dhe në çdo kohë më të mirët.
Stafi akademik i kualifikuar dhe me përvojë, që ka merita për arritjet e shkëlqyera në fusha thelbësore të jetës shoqërore, si mjekësia, ekonomia, drejtësia, filologjia, sociologjia, shkencat natyrore etj. pasurohet herë pas here me elementë të rinj, të cilët i japin frymëmarrje Universitetit të Tiranës.
Megjithëkëtë, një universitet është vërtet bashkëkohor kur mbështetet mbi një infrastrukturë bashkëkohore. Ne përpiqemi të zgjerojmë dhe modernizojmë mjediset, duke nisur që nga laboratorët, bibliotekat, informatizimi, e duke mbërritur deri te ndërtimi i një kampusi universitar, i cili është ndër prioritetet e para të punës sonë. Universiteti i Tiranës është i përgatitur dhe i motivuar për të përballuar sfidat e ndryshme të shekullit të ri. Sfidat kryesore janë ato të integrimit dhe globalizimit të Arsimit të Lartë duke marë parasysh edhe stadin e zhvillimit të shoqërisë shqiptare dhe shtetit shqiptar me hapat e sigurt që janë ndërmarrë për tu integruar në familjen e madhe europiane që ne i përkasim. Prandaj dhe ne jemi të përqendruar për ta kthyer Universitetin e Tiranës në një aktor rajonal pse jo dhe më gjërë ,pasi pozicioni i tij si lider i Universiteteve Shqipfolëse është tashmë një reailtet i pranuar nga shoqëria dhe institucionet arsimore. Që Universiteti i Tiranës të mbetet më i miri, ne do të vazhdojmë të punojmë me dedikimin qe na karakterizon bashkë me mijëra njerëz që janë pjesë e traditës së tij dhe t’u urojmë mirëseardhjen të gjithë atyre që duan të mësojnë më shumë rreth saj.
VIZIONI
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja do të vijojë të konsolidojë pozicionin e tij si institucioni kryesor me kontributin më të madh në vend në mësimin e gjuhëve të huaja, duke përgatitur specialistë dhe profesionistë, që i përgjigjen kërkesave të tregut dhe njëkohësisht ndihmojnë në zhvillimin e vendit në integrimin evropian. Përmes mësimit, shërbimit dhe kërkimit, FGJH-ja synon të kontribuojë në formimin cilësor të studentëve, në përmbushjen personale të tyre, në krijimin e mirëkuptimit të ndërsjellë, të harmonisë shoqërore dhe ndjenjës së qytetarisë globale të shekullit XXI, të shërbejë si urë komunikimi për çështjet me interes kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar, duke krijuar një hapje dhe ndjeshmëri ndaj kulturave të ndryshme në fushën e gjuhëve, letërsisë dhe komunikimit. FGJH-ja, do të luajë një rol të rëndësishëm në realizimin e strategjisë të zhvillimit institucional të UT-së, si pjesë përbërëse e tij, duke bashkëvepruar me strukturat dhe fakultetet e tjera të tij.
MISIONI