Më 17 korrik 2025, në kuadër të Shkollës Verore të Gjuhës Bullgare, vijuan me sukses orët praktike të mësimit të bullgarishtes në të dyja nivelet: fillestar dhe të avancuar, të udhëhequra nga Prof. As. Dr. Raqi Bello dhe Dr. Miranda Bello.
Në këtë ditë të veçantë, studentët patën kënaqësinë dhe privilegjin të mirëpresin Z. Selim Hoxhaj, Konsull Nderi i Bullgarisë në Shqipëri, një personalitet i shquar në fushën e gazetarisë dhe një ndër promotorët më të rëndësishëm të marrëdhënieve shqiptaro-bullgare. Z. Hoxhaj ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e lidhjeve dypalëshe politike, ekonomike e kulturore mes dy vendeve tona, ndër të tjera edhe përmes mbi 300 shkrimeve të tij kushtuar kësaj tematike.
Për angazhimin e tij afatgjatë në promovimin e miqësisë midis Shqipërisë dhe Bullgarisë, Z. Hoxhaj është nderuar me dekoratën e lartë “Dega e Artë e Dafinës” nga Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë.
Lidhjet e tij me Bullgarinë datojnë që nga viti 1992 dhe gjatë këtyre tri dekadave ai ka krijuar miqësi dhe bashkëpunime të rëndësishme me personalitete dhe intelektualë bullgarë. Një pjesë e rëndësishme e këtij bashkëpunimi është përkthyer në realizimin e disa dokumentarëve televizivë për Televizionin Publik Shqiptar (TVSH), të cilët pasqyrojnë historinë, kulturën dhe traditat e popullit bullgar, interesin për gjuhën shqipe, si dhe marrëdhëniet e veçanta ndërmjet dy kombeve.
Veçanërisht domethënëse janë dokumentarët kushtuar fshatit Mandricë, i vetmi fshat shqiptar në Bullgari, ku edhe sot e kësaj dite vazhdohet të flitet shqip dhe të ruhen traditat e hershme shqiptare. Z. Hoxhaj është gjithashtu autor i disa dokumentarëve mbi minoritetin bullgar në Shqipëri.
Në referatin e tij para studentëve, ai solli një panoramë të pasur të marrëdhënieve shqiptaro-bullgare ndër shekuj, duke u ndalur në figura dhe ngjarje kyçe të diasporës shqiptare në Bullgari, si dhe në rolin e tyre në procesin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai vuri në dukje rëndësinë e vendbanimeve të dikurshme shqiptare në Bullgari, me theks të veçantë mbi koloninë shqiptare në Sofje dhe fshatin Mandricë.
Në përmbyllje të aktivitetit, studentët patën mundësinë të shikojnë një dokumentar të realizuar nga TVSH, me skenar të Z. Hoxhaj, kushtuar ruajtjes dhe mësimit të gjuhës shqipe në Bullgari dhe mbështetjes institucionale që ofron shteti bullgar për përhapjen e saj në nivel universitar.