Ndiheni të diskriminuar? Jeni dëshmitar i një diskriminimi? Raporto Diskriminimin

Më 10 korrik 2025, në kuadër të Shkollës Verore të Gjuhës Bullgare, vijuan me sukses orët e praktikës gjuhësore në bullgarisht.

Në vazhdim të programit u mbajt një ligjëratë tematike nga Dr. Valju Anchev, pedagog pranë Fakultetit Juridik të Universitetit “Shenjtorët Kiril dhe Metodij” në Veliko Tërnovo, Bullgari, me temë: “Kultura dhe arsimi si vlera kushtetuese”.

Ligjërata ofroi një analizë të thelluar mbi vendin dhe rolin që zënë kultura dhe arsimi në rendin kushtetues të Republikës së Bullgarisë. Profesori prezantoi gjithashtu simbolet shtetërore bullgare – flamurin, stemën dhe himnin kombëtar – duke i interpretuar ato në aspektin historik, juridik dhe kulturor.

Diskutimi u bë edhe më i pasur falë krahasimeve të bëra nga vetë studentët me simbolet shtetërore të Republikës së Shqipërisë, çka i dha ligjëratës një dimension ndërkulturor dhe nxitës për reflektim.

Ky aktivitet dëshmoi edhe një herë rëndësinë e integrimit të temave të edukimit qytetar dhe juridik në procesin e mësimdhënies gjuhësore, duke ndihmuar studentët të kuptojnë më mirë strukturat themelore të shoqërisë dhe shtetit bullgar.