Më datë 11 Korrik, në kuadër të Shkollës Verore të Bullgarishtes, vijuan me intensitet orët praktike të mësimit të gjuhës për të dy grupet pjesëmarrëse, nën drejtimin e pedagogëve Prof. As. Dr. Raqi Bello dhe Dr. Miranda Bello.
Në kuadër të komponentit kulturor të programit, Prof. As. Dr. Raqi Bello – pedagog në Universitetin “Shën Kiril dhe Metodij” të Veliko Tërnovës – së bashku me dy studente të Shkollës Verore, prezantuan një referat me titull: Nestinarstvo – Rituali i ecjes mbi prush (Нестинарството – танцът върху жаравата).
Ky prezantim solli një përmbledhje të thelluar mbi një prej ritualeve më të veçanta dhe më të lashta të trashëgimisë shpirtërore bullgare – ecjen mbi prush. Studentët patën mundësinë të njihen me historikun mijëravjeçar të këtij rituali, simbolikën e tij fetare dhe kulturore, si dhe me vazhdimësinë e praktikimit të tij në disa zona të Bullgarisë deri në ditët e sotme.
Që prej vitit 2009, Nestinarstvo është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit të UNESCO-s, duke u njohur ndërkombëtarisht si një pasuri kulturore me vlera universale.
Aktiviteti u prit me interes të madh nga studentët, të cilët u angazhuan në diskutime të frytshme dhe shkëmbime mendimesh, duke zgjeruar njohuritë e tyre mbi kulturën dhe traditat bullgare përmes një qasjeje ndërdisiplinore dhe ndërkulturore.