Vizita akademike në kuadër të programit Erasmus+, 7-11 Prill 2025
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja- UT mirëpriti gjatë datave 7-11 Prill 2025 përfaqësues akademikë nga tri universitete partnere evropiane, në kuadër të programit Erasmus+ dhe partneriteteve të reja. Vizitat u zhvilluan me përfaqësues nga Universiteti Paris Sorbonne Nouvelle (Francë), Universiteti i Mesinës (Itali) dhe Universiteti i Patrës (Greqi), duke thelluar më tej bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkulturor.
Gjatë kësaj jave intensive, u mbajtën takime me stafin akademik dhe drejtues të fakultetit dhe departamenteve, u zhvilluan leksione të hapura dhe diskutime mbi praktikat më të mira mësimdhënëse dhe kërkimore. Palët ndanë përvojat e tyre në fushën e studimeve gjuhësore dhe kulturore, ndërsa u diskutua edhe mbi mundësitë për projekte të përbashkëta në të ardhmen.
Këto shkëmbime shërbyen si një moment i rëndësishëm për nxitjen e ndërkombëtarizimit dhe shkëmbimeve akademike, duke konfirmuar angazhimin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës në forcimin e bashkëpunimeve europiane në arsimin e lartë.
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja – UT, fakulteti i vërtetë evropian!





