Më datë 21 nëntor 2025, Departamenti i Gjuhës Frënge organizoi workshop me studentët e ciklit Master në kuadër të projektit kërkimor kombëtar AKKSHI (2024–2026): «Ndikimi i kurrikulës ‘Mësimdhënie me bazë kompetencash’ në zhvillimin e kompetencës komunikuese të nxënësve të gjuhëve të huaja në arsimin e mesëm të lartë». Ky aktivitet u zhvillua nga Prof. Asoc. Dr. Migena Alimehmeti dhe Prof. Asoc. Dr. Lorena Dedja, si pjesë e workshop-eve dedikuar rezultateve të deritanishme të projektit të financuar nga AKKSHI. Workshop-i kishte për synim:
- prezantimin e strukturës, objektivave dhe rezultateve paraprake të projektit AKKSHI.
- ofrimin e modeleve të strukturuara të punimeve kërkimore për studentët e Masterit, në mbështetje të lëndës Metodologjia e Kërkimit Shkencor (MKSH);
- demonstrimin e përdorimit të programit SPSS në analizën statistikore të të dhënave.
Aktiviteti i parë përfshiu hartimin e një përmbledhjeje digjitale shumëgjuhëshe të burimeve bashkëkohore, tashmë të publikuar në faqen zyrtare të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Aktiviteti i dytë, bërthama e projektit, konsistoi në hartimin dhe administrimin e pyetësorëve për mësuesit dhe nxënësit, duke siguruar një corpus të gjerë statistikash që nxori në pah perceptimet e mësuesve për kurrikulën me bazë kompetencash, praktikat e tyre komunikative, sfidat strukturore të mësimdhënies, si edhe pritshmëritë, motivimin dhe vështirësitë e nxënësve.
Gjatë workshop-it u prezantua gjithashtu një ndër artikujt shkencorë të referuar dhe botuar në kuadër të këtij projekti: “Impact de la motivation des enseignants et des pratiques adaptatives sur la volonté des élèves à communiquer en classe de langue étrangère”, i cili u përdor si model referimi për studentët e ciklit Master mbi strukturimin e një punimi shkencor: nga abstrakti dhe rishikimi i literaturës deri te metodologjia, analizat statistikore dhe diskutimet akademike.
Në aktivitet u paraqit edhe mënyra se si të dhënat e mbledhura përmes pyetësorëve janë analizuar me programin SPSS, një instrument i domosdoshëm për përpunimin e të dhënave në kërkimet e shkencave sociale.
Studentët kontribuan me pyetje dhe diskutime mbi praktikat e mësimdhënies së gjuhëve të huaja, zbatimin e qasjes komunikative, përdorimin e teknologjisë dhe sfidat e profesionit të mësuesit. Reflektimet e tyre lidhen drejtpërdrejt me rezultatet e projektit AKKSHI dhe ndihmojnë në orientimin e tyre drejt mësimdhënies bashkëkohore dhe të bazuar në evidenca.
Workshop-i përbënte një nismë të rëndësishme që ndërthurte kërkimin shkencor me formimin profesional të studentëve, duke mbështetur zhvillimin e kompetencave akademike dhe praktike të brezit të ri të mësuesve të gjuhëve të huaja dhe duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies në sistemin arsimor shqiptar; ky aktivitet, i zhvilluar në kuadër të projektit të AKKSHI-t, u ofroi studentëve të ciklit Master një përvojë të vlefshme formuese, duke i njohur me procese reale kërkimore, përdorimin e metodave statistikore dhe standardet profesionale të hartimit të punimeve shkencore.














