🎓🌍 Sot, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja mirëpriti studentët e rinj, duke shënuar fillimin e rrugëtimit të tyre në jetën universitare dhe akademike.

Aktiviteti u çel me fjalën e mirëseardhjes nga Dekania, Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, e cila nxori në pah simbolikën e veçantë të amfiteatrit përpara Fakultetit të Gjuhëve të Huaja: një hapësirë që mishëron komunikimin, dialogun dhe shkëmbimin e ideve, si dhe vlerat e demokracisë. Si një forum i hapur diskutimi, amfiteatri pasqyron edhe qasjen e Fakultetit ndaj komunikimit akademik e institucional, duke e vendosur studentin në qendër të dialogut, bashkëpunimit dhe jetës universitare.
Studentët e rinj u njohën me historinë, misionin dhe komunitetin akademik që do t’i shoqërojë gjatë viteve të tyre të studimit.
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja mbart një histori të pasur, të lidhur ngushtë me traditën e Universitetit të Tiranës. Që me çeljen e tij në vitin 1957, studimi i gjuhëve të huaja është zhvilluar dhe zgjeruar vazhdimisht, duke ndërtuar ndër vite një traditë të konsoliduar akademike.
Përgjatë dekadave, FGJH ka formuar breza të tërë mësuesish, përkthyesish, studiuesish, diplomatësh, gazetarësh dhe profesionistësh të fushave të ndryshme, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në jetën akademike, kulturore dhe publike të vendit.
Kjo traditë vazhdon sot përmes brezit më të ri të studentëve, të cilët zgjedhin të studiojnë gjuhët, teknologjinë dhe kulturat si një mënyrë për të kuptuar më mirë botën dhe për t’u bërë pjesë aktive e saj.
💙 U urojmë të gjithë studentëve një fillim të mbarë, një rrugëtim universitar plot dije, frymëzim, përvoja të bukura dhe arritje të reja!
#FGJH #UniversitetiITiranës #MirëSeVini #StudentëtERinj #JavëOrientimi2026