Ndiheni të diskriminuar? Jeni dëshmitar i një diskriminimi? Raporto Diskriminimin

Workshop-i me temë “Zbatimi i kompetencës komunikuese në praktikën mësimore: Këndvështrimet e mësuesve dhe nxënësve të shkollave të mesme në Shqipëri”

Më datë 21 Nëntor 2025 u zhvillua workshop-i me temë “Zbatimi i kompetencës komunikuese në praktikën mësimore: Këndvështrimet e mësuesve dhe nxënësve të shkollave të mesme në Shqipëri”, aktivitet i organizuar në kuadër të projektit të AKKSHI-t “Ndikimi i kurrikulës Mësimdhënie me bazë kompetencash në zhvillimin e kompetencës komunikuese e të shprehurit tek nxënësit e gjuhës së huaj në arsimin e mesëm të lartë shqiptar”. Workshop-i u drejtua nga Prof. Asoc. Dr. Elvana Shtepani dhe Prof. Asoc. Dr. Hatixhe Leka, të cilat prezantuan objektivat dhe rëndësinë e aktivitetit, duke theksuar nevojën për të kuptuar më në thellësi zbatimin praktik të kompetencës komunikuese në shkollat e mesme të vendit.

Gjatë workshop-it u prezantuan rezultatet e një hulumtimi të realizuar në terren, i cili kishte si qëllim të analizonte mënyrën se si kompetenca komunikuese përvetësohet dhe zbatohet në mësimdhënien e gjuhëve të huaja. Prezantimi solli të dhëna të vlefshme mbi perceptimet e mësuesve dhe nxënësve, si dhe mbi qasjet metodologjike që përdoren aktualisht në klasë. U vunë në dukje elemente të rëndësishme si ndërveprimi mësues–nxënës, organizimi i aktiviteteve komunikative dhe krijimi i një mjedisi të favorshëm për praktikimin e gjuhës së huaj. Nga të dhënat e hulumtimit rezultoi se, megjithëse kurrikula me bazë kompetencash paraqet një qasje moderne dhe të nevojshme, zbatimi i saj has ende në disa sfida që lidhen me burimet, ngarkesën mësimore dhe përgatitjen profesionale të mësuesve.

Diskutimet që pasuan përqendruan vëmendjen tek praktikat konkrete në klasë, vështirësitë me të cilat përballen mësuesit në nxitjen e komunikimit të vërtetë gjuhësor dhe perceptimet e nxënësve mbi procesin e të nxënit. Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua identifikimit të strategjive dhe qasjeve që mund të përmirësojnë cilësinë e mësimdhënies me bazë kompetencash, veçanërisht përmes aktiviteteve interaktive, integrimit të teknologjisë dhe krijimit të më shumë hapësirave për praktikë komunikative.

Në përfundim, aktiviteti u cilësua i rëndësishëm për nxitjen e reflektimit profesional dhe për forcimin e përpjekjeve te perbashketa drejt përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies së gjuhëve të huaja në Shqipëri. Workshop-i hodhi bazat për vazhdimin e punës kërkimore dhe për zhvillimin e iniciativave të tjera që synojnë rritjen e efektivitetit të kompetencës komunikuese në procesin arsimor