Sot, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, UT, pati kënaqësinë të mirëpresë një delegacion të nivelit të lartë nga Komisioni Evropian për shërbimin e interpretimit, në një takim të rëndësishëm që vuri në qendër rolin strategjik të profesionit të përkthyesit dhe interpretit në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Takimi u hap nga Dekania e FGJH-UT, Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, e cila prezantoi zhvillimet dhe arritjet e Fakultetit në fushën e përkthimit dhe interpretimit, si në programet e studimit, ashtu edhe në trajnimet e formimit të vazhduar për përkthyesit e licencuar nga Ministria e Drejtësisë.
Delegacioni i Komisionit Evropian, i përfaqësuar nga Z. Collin Scicluna, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm për Interpretimin, dhe Z. Eoin Ward, Interpret Konferencash dhe Koordinator për Zgjerimin, ndau perspektiva të rëndësishme mbi:
🔹 Rolin kyç të gjuhës në procesin e negociatave dhe mbylljen e kapitujve të acquis
🔹 Nevojën për përkthimin e plotë të legjislacionit të BE-së në gjuhën shqipe para anëtarësimit
🔹 Kërkesën në rritje për profesionistë të kualifikuar në përkthim dhe interpretim, sidomos në momentin kur gjuha shqipe të bëhet gjuhë zyrtare e BE-së.
U theksua se universitetet kanë një rol thelbësor në përgatitjen e këtij brezi të ri profesionistësh, duke forcuar kompetencat gjuhësore, njohuritë e përgjithshme dhe përdorimin e teknologjive të reja. Inteligjenca Artificiale u konsiderua si një mjet ndihmës i rëndësishëm, por që nuk mund të zëvendësojë rolin e përkthyesit dhe interpretit pa një proces të kujdesshëm rishikimi dhe ekspertize njerëzore.
Në fokus të diskutimeve ishte gjithashtu rëndësia e bashkëpunimeve ndëruniversitare në Evropë, ku FGJH-UT tashmë bashkëpunon me 6 universitete evropiane që ofrojnë programe në interpretimin e konferencave, si dhe nevoja për thellimin e këtyre partneriteteve përmes projekteve konkrete.
🎓✨ Për studentët dhe të rinjtë, mesazhi ishte i qartë:
Investoni në gjuhë të huaja, forconi gjuhën shqipe dhe zhvilloni njohuritë tuaja të përgjithshme sepse e ardhmja e Evropës ka nevojë për ju!












