Grupi Mësimor-Kërkimor “Didaktikë/Mësimdhënie e Gjuhës Gjermane”, Departamenti i Gjuhës Gjermane, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Mësuesve të Gjuhës Gjermane dhe shtëpinë botuese Cornelsen Verlag (Gjermani) organizoi dhe ofroi më 13.06.2026, ora 09:00–13:00, në ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës aktivitetin “DaFutura – Fit für den Unterricht von morgen. Mit Future Skills zeitgemäßen DaF-Unterricht gestalten” nën drejtimin e dy specialisteve me eksperiencë ndërkombëtare në Deutsch als Fremd- und Zweitsprache (DaF/DaZ) Sabine Hellwig dhe Marje Zschiesche-Stock. Në aktivitet morën pjesë pedagogë të Departamentit të Gjuhës Gjermane; mësues të gjuhës gjermane nga institucione të ndryshme arsimore; studentë të Shkollës Doktorale, studentë të sapodiplomuar të programit Master “Mësuesi i Gjuhës Gjermane” dhe përfaqësues të Shoqatës Shqiptare të Mësuesve të Gjuhës Gjermane.
Qëllimi kryesor i aktivitetit ishte prezantimi i qasjeve më bashkëkohore në mësimdhënien e gjuhës gjermane, duke integruar konceptin e Future Skills, zhvillimin e kompetencave të shekullit XXI dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në procesin e të nxënit.
Trajnimi u zhvillua në formë interaktive, duke kombinuar prezantimet teorike, diskutimet shkencore, punën në grupe dhe demonstrimet praktike.





