Në kuadër të aktiviteteve të Shkollës Verore të Gjuhës dhe Kulturës Bullgare, studentët pjesëmarrës zhvilluan një vizitë në Ambasadën e Republikës së Bullgarisë në Tiranë, me ftesë të veçantë të Ambasadorit të Republikës së Bullgarisë, Shkëlqesisë së Tij, z. Ivaylo Kirov.
Në takim morën pjesë edhe Prof. Asoc. Dr. Adriatik Derjaj, përgjegjës i Departamentit të Gjuhëve Sllave-Ballkanike, Prof. Asoc. Dr. Raqi Bello nga Universiteti “Shenjtorët Kirili dhe Metodi” i Veliko Tërnovos, si dhe Dr. Miranda Bello, lektore e gjuhës bullgare në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.
Gjatë takimit, Ambasadori prezantoi historinë mbi njëqindvjeçare të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, duke vlerësuar bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet dy vendeve dhe rëndësinë e perspektivës së tyre të përbashkët evropiane. Më tej, Sekretari i Parë i Ambasadës, z. Iliyan Krumov, prezantoi projektet dhe nismat e bashkëpunimit shqiptaro-bullgar në fushën e arsimit, të mbështetura nga Ambasada e Republikës së Bullgarisë.
Një moment i veçantë i vizitës ishte ndarja e “Certifikatës së Nderit” për Prof. Asoc. Dr. Adriatik Derjaj nga Ambasada e Republikës së Bullgarisë, në shenjë mirënjohjeje për profesionalizmin e tij, përkushtimin shumëvjeçar dhe kontributin e rëndësishëm në zhvillimin dhe afirmimin e bullgaristikës në Universitetin e Tiranës, për nxitjen e studimit të gjuhës dhe kulturës bullgare, si dhe për forcimin e bashkëpunimit akademik dhe miqësisë ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë.
Në përmbyllje të takimit, përfaqësuesit e Ambasadës shprehën mirënjohjen e tyre për Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe Departamentin e Gjuhëve Sllave-Ballkanike për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe mbështetjen e vazhdueshme që i japin studimit dhe promovimit të gjuhës dhe kulturës bullgare në Shqipëri.
🌍 Një përvojë e vyer që dëshmon se mësimi i gjuhëve të huaja ndërton ura miqësie, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi mes popujve.





