Nga auditorët në zemër të trashëgimisë kulturore: Përmbyllet me sukses Shkolla Verore e Gjuhës dhe Kulturës Bullgare

✨ Nga 10 deri më 12 korrik 2026, Shkolla Verore e Gjuhës dhe Kulturës Bullgare u zhvendos përtej auditorëve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, UT, duke u ofruar studentëve mundësinë ta përjetonin gjuhën dhe kulturën bullgare në një mjedis të gjallë e autentik – në rajonin e Beratit, një nga qendrat më të pasura të Shqipërisë me histori dhe trashëgimi kulturore. 🏛️

🎓 Programi u përmbyll me një ceremoni të ngrohtë të ndarjes së certifikatave, ku morën pjesë Prof. As. Dr. Raqi Bello dhe lektorja e gjuhës bullgare, Dr. Miranda Bello, të cilët drejtuan shkollën gjatë gjithë zhvillimit të saj, Prof. Dr. Todor Galaunov, pedagog në Departamentin e Politologjisë të Universitetit të Veliko Tërnovos, si edhe atasheu për kulturën pranë Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Tiranë, z. Iliyan Krumov.

🏅 Certifikatat, të lëshuara nga Universiteti i Veliko Tërnovos, dëshmojnë përkushtimin, pjesëmarrjen aktive dhe angazhimin e studentëve përgjatë gjithë programit.

💬 Në përfundim të ceremonisë, pjesëmarrësit ndanë përshtypjet dhe kujtimet më të bukura nga kjo përvojë e veçantë dhe shprehën dëshirën për t’u bërë sërish pjesë e saj në vitet e ardhshme.

Kujtojmë se kjo nismë organizohet nga Departamenti i Gjuhëve Sllave-Ballkanike pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, UT, në bashkëpunim me Universitetin “Shenjtorët Kirili dhe Metodij” të Veliko Tërnovos, në kuadër të programit të bashkëpunimit ndëruniversitar Erasmus+, me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Tiranë.

#FGJH #UniversitetiTiranës #GjuhaBullgare #KulturaBullgare #SummerSchool #ErasmusPlus #VelikoTarnovo #BashkëpunimNdërkombëtar #Studentë #TrashëgimiKulturore 📖🌍