Departamenti i Gjuhës Greke ditën e enjte, datë 14 Shkurt 2019, organizoi një aktivitet, kushtuar Ditës Botërore të Gjuhës Greke.

Në këtë aktivitet morën pjesë veç studentëve dhe pedagogëve të Departamentit, dhe përfaqësues të Ambasadës së Greqisë në Tiranë, përfaqësues të shtëpive botuese dhe dashamirës të Gjuhës Greke.

 

Në fjalën e tij përshëndetëse, dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, z.Artur Sula, iu referua përparimit që gjuha greke ka njohur në këto 20 vjet, ngritjen e saj nga degë në Departament dhe theksoi mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm të Ambasadës së Greqisë.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, znj.Eleni Sourani theksoi se gjuha greke është një gjuhë botërore, e vetmja gjuhë e lashtë që qëndroi e gjallë dhe që flitet edhe sot, gjuhë që shërbeu si themel për krijimin e alfabetëve të tjerë dhe për pasurimin e gjuhëve të tjera europiane.

 

Shefja e Departamentit të Gjuhës Greke, znj. Sofia Delijorgji lexoi mesazhin e Zv.ministrit të Jashtëm të Greqisë, z.Terenc Kuik për “Ditën Botërore të Gjuhës Greke” duke theksuar krenarinë që ndiejnë të gjithë ata që e njohin këtë gjuhë.

 

Pedagogia e Departamentit të Gjuhës Greke, znj.Eneida Mataj, bëri një pasqyrim të ecurisë së studimeve të Gjuhës Greke në Universitetin e Tiranës. Rrugëtim që ka filluar në vitin 1998 si degë dhe që nga Shtatori 2018 është ngritur në nivel Departamenti. Ajo referoi mbi ciklet e studimeve dhe mbi hapjen e programeve të reja master siç është ai për Mësues i Gjuhës Greke.

 


Pedagogia e Departamentit të Gjuhës Greke, znj.Isida Foçi (Metaj), foli për zhvillimin e historisë së Gjuhës Greke, që nga Lineari A e deri tek Gjuha e Përbashkët Helenistike dhe Gjuha e Re Greke.