Më datë 13 Dhjetor 2024, Grupi Mësimor-Kërkimor Gjuhësi-Përkthim i Gjuhës Ruse, Departamenti i Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike, realizoi takimin letrar-shkencor “A. S. PUSHKIN NË MJEDISIN SHQIPTAR” , organizuar për nder të vitit jubile, 225-vjetorit të lindjes së shkrimtarit botëror, A. S. Pushkin. Aktiviteti iu kushtua perceptimit të veprës së shkrimtarit të madh nga brezi i ri sot në Shqipëri, përmes poezisë së përkthyer, por edhe rëndësisë dhe peshës që ka ardhja e këtij shkrimtari në gjuhën shqipe, përmes punimeve të ndryshme të studiuesve të veprës së A.S. Pushkin.
Në këtë takim letrar-shkencor morën pjesë studentë, pedagogë, studiues të veprës së A.S. Pushkin brenda dhe jashtë vendit, përkthyes dhe dashamirës të veprës së poetit të dashur.
Pjesëmarrja online e profesorëve të letërsisë ruse nga universitete të vendeve të tjera jashtë vendit, si Rusi, Uzbekistan, Estoni, e bëri edhe më interesant këtë takim.
Studentët e degës së gjuhës ruse u angazhuan si me studime interesante rreth jetës dhe veprës së shkrimtarit, ashtu edhe me recitime .
Pjesëmarrja e studentëve nga departamente të tjera të fakultetit dhe e nxënësve të shkollës së mesme me profil gjuhësor “Asim Vokshi” i dha një atmosferë gjithëpërfshirëse këtij takimi.
Ky takim letrar-shkencor jo vetëm evidentoi edhe njëherë gjithë krijimtarinë e përkthyer në gjuhën shqipe ndër vite, por shërbeu si nxitje dhe motivim për studimin e gjuhës ruse, pse jo, me qëllim përkthimin dhe ripërkthimin e veprave gjeniale nga letërsia ruse.
Pjesë e rëndësishme e këtyre takimeve janë gjithmonë studentët Alumni. Në fund të takimit për pjesëmarrësit u shpërndanë certifikata.